“Argjentina e meritoi më shumë se të tjerët“, Zmijani komenton Kupën e Botës: Mesi i kreu trofetë e tij, Mbape është ylli i së ardhmes

Hysen Zmijani ka folur në një lidhje direkte me emisionin “Botërori Katar 2022“ në “Ora TV“. Ish-futbollisti shkodran ka dhënë mendimin e tij për Kupën e Botës që kulmoi sot me finalen Argjentinë-Francë. Zmijani thotë se Argjentina e ka merituar tërësisht trofeun, pasi ka bindur në gjithë paraqitjet që ka zhvilluar në Katar.

“Deri në minutën e 75 luante vetëm Argjentina. Për mua në fillim ishte pak më favorite Franca, por Argjentina mori lojën në dorë. Pas minutës së 75 ndeshja u bë emocionuese. A e meritoi Argjentina? Them që e ka merituar që në fillim. Vetëm në një ndeshje nuk pati rezultat, kundër Arabisë Saudite. Nuk e ka cilësinë e gjeneratave të tjera, por Argjentina e ka merituar më shumë se të tjerat.

Ishte interesant, nga fundi më tepër, sepse nga fillimi nuk jemi mësuar ta shohim Kampionatin Botëror në dimër. Sigurisht që interesi nuk është njësoj si në verë. Shkëndijat i dhanë ekipet e vogla më tepër, që i prishën punë shumë ekipeve të mëdha. Futbolli ka filluar të bëhet më i thjeshtë dhe më taktik. Luajnë shumë rol trajnerët dhe profesionalizmi i lojtarëve që ndjekin me përpikëri çfarë thotë trajneri. Mbape është e ardhmja e futbollit. Nëse Mesi i kreu trofetë e veta, Mbape mund të jetë ylli i të ardhmes“, ka thënë Hysen Zmijani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *