Janë kuqezinjtë e Alban Bushit ata që kanë bërë të harrohet ai dështim i mbrëmshëm i Kombëtares. “Mallkimi” i kuqezinjve thyhet sot në “Elbasan Arena”, ku Shpresat mposhtën me shifrat 3-1 Andorrën. Pas përfundimit të takimit ka folur për mikrofonin e “RTSH Sport” edhe trajneri Alban Bushi.
“Tani nuk ka kundërshtarë të dobët. Pavarësisht se janë të vogla, janë të organizuar mirë. Janë lojtarë që luajnë në liga të ulëta spanjolle, por dinë të mbrojmë mirë. E dinim që në fillim se do e kishim të vështirë deri sa të shënonim golin e parë. Na ndodhi krejt e kundërta, na shënuan ata të parët dhe e kishim më të vështirë pastaj. E kishim përgatitur të luanim nga krahët.
Nuk i trembesha një nënvlerësimi. Nuk ekziston te ekipi jonë. Këta djem kanë ego dhe dëshirë shumë të madhe. Janë lojtarë shumë cilësor. Unë që kur jam bërë trajner mendoja që për arbitrat nuk do të thoja asnjëherë asnjë fjalë. Kam vite që jam marrë me futboll, por si ky nuk kam parë. Ka ardhur me qëllim të caktuar këtu te ne. Unë nuk e di cfarë emri t’i vë. Për mua është nota 0.
Në këto dy ndeshje kemi luajtur me 16 lojtarë të rinj. Ishte e vështirë të kuptonin filozofinë e Shpresave. Të gjithë këta djem janë pretendent për ekipin Kombëtar. Ne gjithmonë ëndërrojnë. Këta lojtarë që kanë luajtur me ekipet shqiptare që merrnin pjesë në kompeticionet e UEFA-s na kanë ndihmuar shumë, ndërsa ata që vinin nga kampionatet e huaja ishin më të ngurtë. Selmanin e kam pasur edhe te Akademia e Futbollit dhe mendoja se ishte e vështirë të bëhej futbollist. Por dua të them që me punë bëhet gjithcka. Unë e marr gjithnjë si shembull edhe në analizat që bëj sepse në shumë pak kohë është bërë një lojtar i madh.
Kallaku është lojtar klasi. Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë lojtar si ai për sa i përket cilësive teknike dhe fantazisë së tij apo inteligjencës për të pasuar. Mendoj se është një nga lojtarët më të mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria për atë pozicion. Edhe ai është rritur shumë, sepse ka qenë dobët fizikisht. Kam shumë shpresë se do të bëhet një lojtar shumë i mirë, për Shqipërinë nuk diskutohetm por edhe në arenën europiane”, ka deklaruar Alban Bushi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/