Pasi ka drejtuar mbi 200 ndeshje në Serinë A e në arenën ndërkombëatre, arbitri italian Paolo Taliavento e mbyll karrierën dhe tani e tutje do të jetë menaxheri i Ternanës në Serinë C italiane.
Ish-arbitri i njohur ka dhënë një intervistë të gjatë për Gazzetta dello Sport, ku ka folur edhe për ndeshjet më të debatuara dhe gabimet e tij më të mëdha, duke nisur nga goli që nuk u pa ndaj Muntarit në një Milan-Juve, me topin që kaloi vijën fatale me gjysmë metri.
“Duket sikur ka kaluar një shekull, sepse sot ajo situatë do zgjidhej për një sekondë. Pata ndjesinë se topi e kaloi vijën fatale, nëse shihni pamjet filmike kisha ngritur dorën për të treguar nga mesi i fushës. Megjithatë, më duhej miratimi nga anësori, i cili ishte në pozicion më të mirë, ndërsa unë isha jashtë zone. Anësori ishte i përqendruar te pozicioni jashtë loje dhe nuk e pa golin, më tha që Bufon e hoqi mbi vijën fatale. Mëkat”.
Cilin gabim do fshinte nga karriera e vet Taliavento? “Përveç Muntarit, një Juve-Inter 1-3 e drejtova shumë keq. Më pas, goli që i anuluam Krotones kundër Kaliarit në javën e fundit të kampionatit: mund të bënim shumë më mirë se aq”.
VAR: “Në fillim kisha dyshime, por Botërori po tregon që është një ndihmë shumë e madhe. Isha skeptik edhe unë, por tashmë nuk ka më dyshime, gabimet zvogëlohen në mënyrë drastike dhe skuadrat janë më të qeta. Kështu edhe simulimet apo protestat evitohen”.