Mesfushori Taulant Hysenshahaj: Na vjen keq që edhe pse jemi një skuadër me emër, shumë gjyqtarë gabojnë me dashje dhe askush nuk merre masa”
Mikel Mbriçaj
Humbja e pësuar në transfertë nga Pogradeci e largojë Apoloninë akoma më shumë nga dy ekipet kryesuese të grupit, çka nuk i ka pëlqyer aspak stafit teknik të skuadrës fierake. Ata, në analizën e djeshme i kanë kritikuar ashpër lojtarët e tyre që u shthurën faktikisht pas pësimit të golit të par nga një penallti mjaft e kontestuar.
HYSENSHAHAJ – Mesfushori fierak, një nga lojtarët më të mirë në fushë për të dy ekipet Taulant Hysenshahaj në një prononcim për “Sport Ekspres” u shpreh: “Jemi të zhgënjyer nga rezultati i asaj ndeshje me Pogradecin kur çdo gjë e e kishim në dorë dhe e udhëhiqnim me rezultatin 1– 0 që nga minuta e 10-të. Mendoj se ju gëzuam para kohe fitores në saj të rezultatit të përkohshëm që kishim arritur. Pavarësisht akordimit të asaj penalltie fantazmë që ishte një simulim i mbrojtësit vendas, gabuam më pas dhe është e pafalshme që nuk arritëm të përballonim presionin e kundërshtarit në vazhdimin e mëtejshëm të lojës. Pjesa dërmuese e futbollistëve të skuadrës tonë nuk po e harrojnë dot atë humbje megjithëse e analizuam me frymë të lartë kritike dhe autokritike. Nuk është hera e parë që na ndodhë kështu. Ndaj duhet të jemi më të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm dhe çdo kundërshtarë duhet ta vlerësojmë maksimalisht deri në përfundim të lojës”.
SYNIMET – Në vazhdim të deklaratës së tij, Hysenshahaj që është dhe zëvendës kapiten i skuadrës ka siguruar drejtuesit e klubit dhe tifozët se në pjesën e dytë të sezonit, skuadra do të jetë më solide dhe ambicioze. “Të jenë të sigurt të gjithë, se Apolonisë kjo që ndodhi me ndeshjen me Pogradecin, nuk do t’i përsëritet më deri në fund të sezonit. Duhet që të mobilizojmë tërë forcat, më të bashkuar se kurrë dhe të motivohemi për të vazhduar punën e nisur për përgatitjen sa më të mirë dhe në të gjitha aspektet të ndeshjeve në vazhdim të kampionatit. Pikësynimi do të jetë të mos dalim pa pikë nga ato ndeshje të ngjitemi më lartë se vendi i pestë në të cilin renditemi aktualisht”, – ka përfunduar mesfushori fierak Hysenshahaj .
Mikel Mbriçaj