Apeli nuk begenis Flamurtarin, vlonjatët protestojnë

Dënimi prej 4 ndeshjesh pa tifozë ka zemëruar të gjithë në Vlorë dhe po shtohet bindja se Flamurtari po shihet me sy të keq nga FSHF-ja, pasi nuk ka si shpjegohet ndryshe gjithçka po ndodh, nga gabimet absurde të arbitrave e deri te dënimi i rëndë i fushës.

Klubi kuqezi apeloi me urgjencë dënimin e fushës, por edhe pse erdhi fundjava, Komisioni i Apelit nuk u mblodh fare, të paktën për të hedhur poshtë apelimin.

Kjo ka bërë që klubi Flamutrari të dalë sërish me një notë proteste, duke denoncuar sjelljen e Apelit, por duke mos harruar të evidentojë mungesën e transparencës dhe njëanshmërinë nga Federata, që për Flamurtarin nuk miratoi një kërkesë për spostimin e ndeshjes një ditë më vonë, për punimet në fushën e stadiumit, por ndërkohë po lëviz shpesh ndeshje të tjera, duke nisur nga Laçi-Kamza para një jave.

DEKLARAT E FLAMURTARIT

Flamurtari Football Club e konsideron të papranueshme dhe tendencioze përtej çdo logjike faktin që FSHF nuk e mblodhi këtë javë Komisionin e Apelit për të marr në shqyrtim kërkesën tonë për rrëzimin e vendimit të KDS .

Bëjmë me dije opinionin sportiv se FSHF e ka detyrim ligjor mbledhjen e Komisionit të Apelit , bazuar në rregulloren e KDS, Seksioni 5, Procedurat e veçanta, Neni 125,126, 127, 128

Të mësuar tashmë me standardin e FSHF-së nuk çuditemi në rastet kur ndërrohet kalendari për këdo që e kërkon, përveç Flamurtarit, që nuk i plotësohet një kërkesë për spostimin e ndeshjes një ditë me vonë për shkak të punimeve në fushë, por mosmbledhja e KA-së e kalon çdo kufi të hakmarrjes primitive.

Flamurtari do vazhdojë të kërkojë të drejtat gjithmonë nëpërmjet rrugës ligjore për të arritur standardet dhe rregullat e futbollit të mirëpërcaktuara nga FIFA dhe UEFA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *