Apeli i Dajës: Të merremi më shumë me veten, jo me Dinamon

Trajneri vlerëson gjendjen e të tijve në prag të ndeshjes në Zagreb. Për titullarin e sulmit do të vendosë pas seancës së fundit në stadiumin “Maksimir”

Leonard Trebicka

Ka folur thuajse çdo ditë për ndeshjen e radhës me Dinamon e Zagrebit trajneri i korçarëve Ilir Daja. Ai e vlerëson shumë këtë kundërshtar, që e ka ndjekur “live” në një ndeshje të kampionatit kroat, por në këtë moment kërkon që ekipi i tij të shohë punën e vet dhe të mos fokusohet te forca e Dinamos. Trajneri Daja konfirmon dilemën që ka për sulmin, ndërkohë që shpreh bindjen se Skënderbeu do t’i përgjigjet si duhet lojës së kroatëve të enjten në mbrëmje. Ja intervista e plotë e trajnerit  Daja për “Sport Ekspres”:    

– Daja, janë orët e fundit të përgatitjeve për Dinamon e Zagrebit. A është gati skuadra juaj?

– Përveç ditëve të pushimit, që ekipi pati pas ndeshjes me Mlladën, deri më sot (dje) jemi përgatitur ashtu si duhet. Për mua e rëndësishme është se nuk kemi asnjë futbollist të dëmtuar. Kuptohet që të mos kesh mungesa në ndeshje të tilla kaq të forta, është diçka shumë pozitive. E vetmja mungesë është ajo e Nazmi Gripshit, i cili nuk do të udhëtojë me skuadrën, për shkak të problemeve me pasaportën. Ka mbetur edhe një stërvitje e fundit në Korçë nesër (sot) dhe më pas do të zhvillojmë edhe një të fundit në Kroaci. Pas kësaj do të jap një përgjigje më të saktë rreth përgatitjeve tona.

– A është në gjendje Skënderbeu ta përballojë Dinamon e Zagrebit në fushën e saj?   

– Besoj se po. Këtë e them, sepse ndeshja e së enjtes është në vazhdën e atyre që ne kemi luajtur në raundet e para. Sigurisht, jemi koshientë për forcën e Dinamos së Zagrebit, e dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Jemi përgatitur për të gjitha dhe tani presim vetëm të enjten.

– Ju e keni studiuar deri në detaje kundërshtarin. Keni ndonjë opinion përfundimtar?

– Po, e kemi studiuar deri në detaje kundërshtarin dhe dimë shumë mirë si luan dhe si vendoset në fushë. Dimë më shumë edhe për lojtarët e Dinamos individualisht. Dinamo për momentin ka një formë shumë të mirë, pasi ka luajtur edhe disa javë nga kampionati kroat. Sigurisht, nuk kemi studiuar vetëm kundërshtarin, pasi jemi të bindur se kemi një grup të mirë dhe kemi edhe ne shanset tona.

– Mund të na thoni ndonjë detaj, çfarë e bën të fortë skuadrën kroate?

– Kemi parë gjatë këtyre ditëve, bashkë me ekipin, se ku janë anët e forta të Dinamos së Zagrebit, por edhe anët jo të forta. Ua kam treguar lojtarëve dhe nuk është e nevojshme të bëhet publike. Ajo që duhet të them është se duhet të shfrytëzojmë të gjitha hapësirat, që do të na lejojë ekipi kroat. Nëse e bëjmë mirë, patjetër që do t’ia dalim të marrim rezultat pozitiv.

– Skënderbeu do të rreshtohet, si gjithmonë, 4-1-4-1?

– Sido që të rreshtohemi ne, 4-1-4-1 apo 4-3-3, këto dy skema janë të njëjta dhe nuk janë përcaktuese. Sa të fortë do të jemi në mbrojtje, aq më shumë hapësira do t’i japim sulmit dhe anasjelltas. Kjo është më e rëndësishme për mua. Për cilësitë që ka kundërshtari kemi folur shumë, por jemi marrë në stërvitje edhe me veten, pasi ne e kemi në dorë interpretimin e lojës.

– I trembeni emrit që ka kundërshtari, mund ndonjë emër të veçantë të skuadrës kroate?

– E thashë se Dinamo e Zagrebit ka një skuadër me elementë të mirë, por nuk i trembemi. Ka një skuadër që luan në grup, por ka edhe individë shumë të mirë dhe zhvillon një lojë të shpejtë. Nuk kemi harruar se kundërshtari ka edhe një stol të fortë.

– Mendoni se takimi në Zagreb do të vendosë gjithçka, apo është  në Elbasan zgjidhet kualifikimi?

– Janë 180 minuta dhe nuk vendos vetëm një takim. Sigurisht që në Zagreb është një ndeshje e rëndësishme dhe jemi fokusuar vetëm tek ai takim. Për ndeshjen tjetër ka kohë të mendojmë dhe të flasim. Një rezultat i mirë atje do të na ndihmonte shumë për takimin e kthimit.

– Formacionin thuajse e keni zbuluar dhe e vetmja dilemë është ajo e sulmit, Soue apo Xhejms?

– Njëri nga të dy do të jetë patjetër, por ende nuk e kam vendosur. Do ta vendos në Zagreb ditën e fundit. Kam këtë dielmë, pasi në 3-4 ditët e para të stërvitjes në Korçë Xhejms u stërvit i diferencuar. Në fushë të enjten do të jetë më i miri.

– Së fundi, sa shanse ka Skënderbeu për të kaluar më tej?

– E theksova më sipër se kemi shanset tona dhe do të bëjmë më të mirën në Zagreb për të marrë një rezultat sa më pozitiv. Kundërshtari ka objektivin e vet, por edhe ne tonin. Do të kalojë skuadra, që do ta meritojë, ajo që do të gabojë më pak.  

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *