I lindur për të fituar zemrat e tifozëve! Shevchenko ishte sulmuesi që çdo skuadër në Europë do të dëshironte që ta kishte në skuadër, por i ka falur shumë kënaqësi tifozëve të Milanit. Sigurisht, pa harruar edhe zhgënjimet që janë kaluar së bashku. E nëse flasim për këto të fundit vëmendja shkon menjëherë tek finalja e Instabulit në 2005. Milani kryesonte 3-0 kundër Liverpulit dhe papritur vjen përmbysja e anglezëve.
“Në tre muajt e para pas asaj humbje unë zgjohesha nga gjumi duke bërtitur natën dhe filloja që të mendoja për të. E mendoj edhe sot që kanë kaluar 16 vite. Shumë nga shokët e mi të skuadrës nuk do të dëshironin që ta shihnin më kurrë atë ndeshje. Unë e di përmëndësh. Liverpuli? Kishte vetëm 1 shans nga 100 dhe ia doli, bravo për ta”, ka thënë Shevchenko në librin e tij.
Njëkohësisht në të gjen edhe shumë histori të tjera të bukura, si ajo e finales në Manchester. “Inzagi ishte i fiksuar pas futbollit. Në mëngjes të finales së Manchester zgjohem herët dhe hap dritaret. Ne ishim në një hotel me pamje nga një fushë golfi. Shoh një person që vrapon vetëm, duke imituar lëvizjet sulmuese, kthehet për të parë nëse ishte një gjyqtar i padukshëm për të fishkëllyer për pozicionin jashtë loje dhe feston për një gol imagjinar. Ishte Pipo”, shkruan Shevcenko. /Sport Ekspres/