Ançeloti: Titulli i Bajernit, nuk na e merr askush

Bundesliga gati të startojë sezonin e 55-të. Kampionët në fuqi presin Leverkusenin

Gjithçka është gati dhe sonte në mbrëmje Bajerni i Mynihut do të nisë mbrojtjen e titullit në Bundesligë me përballjen kundër Leverkusenit. Trajneri i bavarezëve, Karlo Ançeloti është shfaqur në konferencën për shtyp, duke u ndalur në një sërë temash që prekin ekipin e tij në këtë fillim sezoni.

Ançeloti për sezonin e ri – “Jam shumë i kënaqur që jam përpara medieve për të folur për sezonin e ri që nis. Për çdo trajner është një kënaqësi që një sezon i ri po nis. Bajerni vjen në këtë sezon pas 5 titujsh radhazi dhe objektivi jonë është i qartë, të fitojmë përsëri titullin kampion në Bundesligë.”

Problemi i portës dhe Ulraish – Ançeloti ka folur dhe për çështjen delikate në Mynih, atë të portës. Tekniku italian ka shprehur të gjithë mbështetjen e vet për zgjedhjen numër 2, Sven Ulraish. “Sven ka bërë një punë të mirë. Kundër Dortmundit ka bërë një ndeshje të kënaqshme. Ai ka fituar më humb besim në vetvete dhe unë kam më shumë besim te ai. Sa herë ka luajtur nuk më ka zhgënjyer.”

Të dëmtuarit – “Mund t’iu konfirmoj se veç kapitenit Noier, do të mungojnë dhe Tiago Alkantara, Havi Martinez, Hames Rodrigez, Zherom Boateng dhe Huan Bernat. Të gjithë janë të dëmtuar. Hames ka nisur stërvitjen me ekipin, por do të jetë pamundur të luajë kundër Leverkusenit.

Alavba dhe Roben – “Të dy janë në formë optimale, por formacionin do ta vendos pak orë para ndeshjes. Rëndësi ka që të dy lojtarët janë gati, sepse të dy janë shumë të rëndësishëm për ekipin.”

Ekipi – “Mendoj se ekipi është i plotë dhe në formë të mirë, pavarësisht dëmtimeve. Kemi disa lojtarë të dëmtuar, por për momentin nuk përbëjnë ndonjë shqetësim serioz. Pas ndeshjeve të para të sezonit kemi pushimet e ekipeve kombëtare dhe kjo do të na japë mundësi të  rikuperojmë lojtarët e dëmtuar. Kam besim të plotë, ne kemi lojtarë shumë të mirë në ekip dhe atmosfera është e shkëlqyer. Jam i bindur se kemi të gjitha cilësitë  për të mbrojtur titullin e fituar në sezonin e kaluar.”

Rudi dhe 41-milionëshi Toliso – “Të dy mund të luajnë sikurse të dy mund të ulen në stol. Personalisht nuk më intereson se sa kushton një lojtar, unë shoh çfarë bëjnë lojtarët në fushë, jo çmimi i tyre.”

Leverkuseni – “Ne kemi bërë një analizë të plotë të Leverkusenit, ata kanë një trajner të ri, me ide të reja. Ndoshta do t’i duhet kohë të përshtaten me idetë e reja të trajnerit të tyre, por kjo nuk i heq asgjë agresivitetit të tyre. Parashikoj një ndeshje me intensitet të lartë dhe nuk duhet të harrojmë se ndeshja e parë është gjithnjë e vështirë.”

 

0 humbje

Për të nëntën herë Bajerni e nis sezonin si kampion në fuqi. Në 8 rastet e mëparshme bavarezët nuk kanë pësuar asnjë humbje

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *