Besim, vlerësime, por edhe… sekrete. E nisim nga fundit, Karlo Ançeloti nuk pranon të zbulojë formacionin që do të hedhë në fushë në duelin për titull ndaj Juventusit. Megjjthatë, trajneri i Napolit nuk pranon të flitet për rezultat tjetër, që nuk është fitorja. “Është një ndeshje që vlen tre pikë, asgjë më tepër. Nuk firmos për barazimin!”. Ndër të tjera Ançeloti foli me superlativa për Kristiano Ronaldon: “Ushqej gjithmonë vlerësim të madh për të. Për mua meriton gjithmonë ‘Topin e Artë’”.
FORMACIONI – “Unë nuk jap emra. Jemi stërvitur dhe skuadra është motivuar për të luajtur. Janë më shumë se 11 lojtarë që meritojnë të luajnë për shkak të vlerave që kanë dhe atë kanë dhënë në ndeshjet e fundit. Është problemi im, mos u shqetësoni”.
BAROMETËR – “Është një test i rëndësishëm për të kuptuar momentin në të cilin ndodhemi. Për mua është i mirë, por kundër Juves mund të konfirmojmë vazhdimësinë, ose të bëjmë një hap të vogël prapa. Unë kam besim: kemi ardhur pas një kalendari të vështirë, por në kushte optimale. Unë do kisha shpresuar të vija kështu dhe kemi ardhur nga ndeshje të mira në të dy fazat e lojës. Duhet të përsërisim veten kundër një ekipi të madh”.
RIKTHIMI NË TORINO – “Është pjesë e së shkuarës, nuk e konsideroj të keqe. Kisha rezultate negative, por më ndihmoi mua të rritesha dhe të kuptoja se si funksionon një shoqëri. Nuk e konsideroj negative. Nuk është një ndeshje si të tjerat, por ka seriozitet dhe përqendrim. Siç ndodh normalisht. Alegri ka përvojë të madhe, e di mirë se si luajmë dhe si kemi ndryshuar. Nuk mendoj se ka shqetësime të veçanta. Tanimë nuk ka më sekrete në futboll”.