ANALIZË | La Liga ekulibër total, 6 ekipet e kreut ndahen nga 2 pikë

Kishte vite që në Spanjë nuk ndodhte që Barça dhe Reali të ishin kaq në vështirësi në fillim të sezonit. Tetë ndeshje të luajtura në La Liga, 15 pikë katalanasit, 14 pikë madrilenët. Mesatarja?! As 2 pikë për ndeshje, vetëm gjysmat e sfidave të fituara dhe një lum me kritika për të dy trajnerët e ekipeve.

Barcelona ndoshta po përjeton momentin më të vështirë në kampionat prej kohësh, ku pas ndeshjes me Valencian e sheh veten të dalë pa fitore në La Liga për të katërtën ndeshje radhazi. Një lojë e paqartë nga ana e katalanasve dhe mediat ia faturojnë shumicën e fajit dhe trajnerit Valverde. Luis Suarez duket se nuk është i njëjti, por pushimi i kombëtareve ndoshta ka ardhur në kohën e duhur për blaugranat dhe trajnerin e tyre.

Reali ndërkohë vijon shterpësinë e pabesueshme. Prej katër ndeshjes nuk shënon qoftë edhe një gol në të gjithë kompeticionet, gjë që nuk kishte ndodhur prej 33 vitesh. Humbja ndaj Alavesh në fund ishte një goditje akoma më e rëndë për “Los blancos”. Pavarësisht se distanca me kreun është vetëm dy pikë, forma që po tregon Real këtë sezon është shumë larg pritshmërive.

Ndërkohë me një nisje çalë-çalë, teksa pas 4 javëve të para numëronte vetëm 4 pikë, ku humbi në derbi ndaj Betis dhe në shtëpi ndaj Getafes, Sevija arriti të ngrihej. Katër fitore në katër ndeshjet e fundit, ku vlen për t’u përmendur triumfi mbresëlënës 3-0 ndaj Realit, i japin andaluzianëve fronin e La Ligës për momentin. Në katër ndeshjet e fundit numëron plot 14 gola të shënuar, me një mesatare të frikshme. Sevija po konsolidohet javë pas jave dhe mund të hapë jo pak probleme për Realin, Barçën apo Atletikon.

Atletiko Madrid arriti një sukses me mjaft vlera fundjavën që lamë pas ndaj Real Betisit, teksa i mjaftoi goli i Korreas për t’u bashkuar me Barcelonën në kuotën e 15 pikëve. Pas problemeve të ndeshjeve të para, duket se ekipi i Diego Simeones po përgjigjet mjaft mirë në ndeshjet e fundit. Janë pesë fitore në gjashtë ndeshjet e fundit mes La Liga dhe Champions për “Los colchoneros”. Gjithashtu në katër sfidat e fundit në kampionat nuk kanë pësuar asnjë gol dhe duket se Atletiko është në rrugën e duhur.

Alavesh dhe Espanjol duket se po surprizojnë në këtë fillim, teksa numërojnë 14 pikë, të njëjtën kuotë me Realin e Madridit, njëkohësisht dy pikë më pak se vendi i parë. Gjithashtu për t’u përmendur dhe Vajadolid, e cila këtë javë arriti fitoren e tretë radhazi dhe u katapultua në vendin e shtatë me 12 pikë.

Valencia konfirmohet ekipi i barazimeve këtë sezon. Në tetë javë, plot gjashtë sfida ekipi nga “Mestalla” i ka mbyllur në barazim. Një nisje e dobët për pritshmëritë e drejtuesve dhe lojtarët që Valencia ka në kontingjent. Gjithashtu nisje zhgënjyese kanë pasur dhe Vijareal si dhe Atletiko Bilbao, që ndodhen në vendet 17-të dhe 18-të respektivisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *