Shoqata Rajonale e Futbollit Fier ka mbyllur një tjetër edicion të mbushur plot me aktivitetet dhe ndeshje për të gjitha moshat. Këtë sezon kjo zyrë numëron 154 ekipe (13 për femra) dhe 2143 futbollistë (225 femra).
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj shoqate, Maksim Tegu, është bërë një punë e madhe për evidentimin e futbollistëve të spikatur në ekipet e moshave, vëzhgimi, përzgjedhja dhe puna e vazhdueshme me ta, për t’i përfshirë më pas në stërvitjet e përjavshme që zhvillojnë Përfaqësueset Rajonale.
Në një intervistë të dhënë për fshf.org, Tegu tregon risitë e edicionit 2021-2022, problematikat, por edhe arritjet e këtij edicioni.
Cilat janë risitë e edicionit që lamë pas në kampionatin rajonal të Zonës Fier?
Prioritet i Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier është puna për evidentimin e futbollistëve të spikatur në ekipet e moshave, vëzhgimi, përzgjedhja dhe puna e vazhdueshme me ta nëpërmjet stërvitjeve të veçanta me Përfaqësueset Rajonale. Për këtë arsye ne kemi ngritur ekipet përfaqësuese rajonale në 3 mosha, që kanë marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga zyra nga periudha tetor 2021 e deri në maj 2022.
Nga datëlindja 2008, janë vëzhguar 106 futbollistë dhe nga këta janë ushtruar periodikisht një herë në javë 36 futbollistë. Nga datëlindja 2009, janë vëzhguar 90 futbollistë dhe nga këta janë ushtruar periodikisht një herë në javë 42 futbollistë. Nga datëlindja 2010, janë vëzhguar 66 futbollistë dhe nga këta janë ushtruar periodikisht një herë në javë 34 futbollistë.
Stërvitjet janë zhvilluar në kushte mjaft të mira pranë ambienteve të klubit FK Apolonia nën drejtimin e stafeve teknike me synimin e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësive e shprehive në të gjitha aspektet e formimit të futbollistit. Kemi zhvilluar rreth 20 seanca stërvitore çdo të hënë. Evidentimit dhe përzgjedhjes të futbollistëve të spikatur i shërbyen dhe turnetë e muajit dhjetor 2021 e maj 2022 të ekipeve Përfaqësuese Rajonale, ku të gjitha ndeshjet u vëzhguan nga specialistët e sektorit të ekipeve kombëtare në FSHF. Risi në këtë sezon ishte edhe gjykimi i ndeshjeve për moshat U-7, U-9, U-11 nga vetë trajnerët. Kësaj nisme i parapriu dhe seminari i organizuar nga sektori i gjykimit në FSHF me gjithë trajnerët e këtyre moshave mbi “vetë-arbitrimin”.
A mund të na përmendni disa nga problematikat kryesore të këtij sezoni?
Përgatitja dhe fillimi në një kohë i aktivitetit (java e dytë e muajit tetor) në të gjitha zonat, gjithashtu dhe mbyllja, (mundësisht në fund të muajit Maj), që në fazën play-off mos të kemi pritje të gjata, për arsyen, se mbylljet e aktivitetit nuk janë bërë në një kohë në të gjitha zonat.
Mos pasja të një fushe për moshat, që të jetë në dispozicion të këtij kampionati, në çdo qytet, kushtëzon zhvillimin normal të ndeshjeve në kohë të keqe dhe terrene të rënduara. Ngritja dhe funksionimi normal i kolegjiumeve të gjyqtarëve në gjithë qytetet që janë në zonën tonë, Kuçovë-Berat-Dimal; Lushnje-Divjakë; Roskovec-Patos-Ballsh; Vlorë-Orikum-Novoselë për mbulimin e gjithë ndeshjeve në qytetet e tyre.
Sipas jush a u arritën objektivat, në aspektin e rritjes së pjesëmarrjes? Numri i pjesëmarrësve ka qenë i kënaqshëm krahasuar edhe me edicionin e shkuar?
Numri i ekipeve dhe futbollistëve ka ardhur gjithmonë në rritje. Këtë e tregon më mirë dhe dinamika e tyre që nga viti 2010 (vit që janë hapur zyrat rajonale) ku zona Fier kishte 46 ekipe me 713 futbollistë dhe në sezonin e kaluar kishte 154 ekipe (13 për femra) dhe 2143 futbollistë (225 femra). Rritje e dukshme u bë në momentin e fillimit të projektit “Topi im”, incetivimit të futbollit të femrave, këtë shpresojmë dhe jemi të bindur që do bëjë dhe projekti më i ri “Uniforma ime”.
Nuk mund të lëmë pa përmendur kampionatin e Shkollave 9-vjeçare për femra, ku morën pjesë 11 shkolla nga Këmishtaj, Fieri, Vlora, Pojani, Mbrostari, Levani me rreth 180 vajza.
U zhvilluan 110 ndeshje në dy faza, teksa fitues u shpall shkolla “Jani Bakalli” me ekipin që drejtohet nga mësuesja e edukimit fizik Elsa Goga.