Nëse fitorja në Gjirokastër ishte surprizë, humbja me Skënderbeun, kampion në fuqi, ishte një rezultat deri diku i pranueshëm. Por, me atë ndeshje që kaloi, tani Kastrioti përqendrohet te ndeshja e radhës, ku do të jetë përballë Partizanit. Mbrojtësi Nikola Stijepoviç, që menjëherë është shndërruar në një prej titullarëve të krutanëve, gjatë një deklarate për “Supersport” foli për ecurinë dhe objektivat e skuadrës, ndërsa krahasoi edhe Kategorinë Superiore me kampionatin në Malin e Zi.
ECURIA – “Kundër Skënderbeut luajtëm ndaj kampionëve. Ata u paraqitën shumë mirë, por edhe ne kishim shanset tona. Më vjen keq për humbjen, por i tillë është futbolli. Partizani ka lojtarë shumë të mirë. Është një ndeshje mjaft e vështirë. Do të provojmë t’i kapim në kundërsulm dhe të përfitojmë”.
OBJEKTIVI – “Edhe me një barazim do të ishim të kënaqur, edhe pse hyjmë në fushë për të marrë tre pikët. Gjithsesi, në varësi të ndeshjes edhe një pikë na kënaq”.
KAMPIONATI – “Ndihem shumë mirë në Shqipëri. Këtu luhet futboll më i shpejtë se në vendin tim. Këtu futbolli është një shkallë më lartë krahasuar me Malin e Zi, përsa i takon aspektit teknik dhe taktik”.