Trajneri bardhekuq ka menduar që sot të zhvillojë analizën e barazimit në Kamzë, ndërkohë që nesër analiza tjetër për Partizanin
Leonard Trebicka
Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, e ka lënë për sot analizën e barazimit me Kamzën. Pritej që kjo analizë të zhvillohej ditën e parë, pas kthimit nga Kamza, por duket se trajneri i bardhekuqve ka pritur që futbollistët të qetësohen. Eshtë vetëm fillimi dhe gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin më, pasi pikët që lihen në këtë mënyrë kushtojnë shumë.
Sot, përpara seancës së radhës stërvitore, trajneri Daja do të zhvillojë një analizë të gjatë me të tijtë. Një tjetër arsye pse analiza do të zhvillohet sot, është se trajneri Daja e ka studiuar me kujdes 90-minutëshin e Kamzës dhe ka nxjerrë me laps në dorë të gjitha gabimet, që sollën atë rezultat. Në Korçë në fakt nuk e prisnin, por ajo ndeshje nuk kthehet më. Gjatë analizës sigurisht që Daja do të ketë kritika për grupin e lojtarëve dhe do t’i kapë një e nga një repartet. E rëndësishme është që skuadra të nxjerrë mësime për ndeshjet e tjera. Sigurisht, “frika” e korçarëve që në start, duke marrë pjesë edhe në grupet e Europa League, ishte përballja ndaj ekipeve të vogla, pasi është e vështirë ta karikosh skuadrën nga një kompeticion të madh në superligë, aq më tepër kur luan me skuadra të ashtuquajtura t “të vogla”. Kjo analizë pritet të mbyllë edhe kapitullin e ndeshjes në Kamzë dhe më pas do të mendohet vetëm për Partizanin. Skënderbe nuk ka shumë kohë të merret me ato ndeshje që ikin. Javët në vijim janë edhe më të ngarkuara me përballje jo fort të lehta.
TAKAJ – Pas barazimit në Kamzë, ku ishte i pranishëm, presidenti Ardjan Takaj nuk e ka takuar skuadrën e tij. Këtë gjë do ta bëjë me shumë gjasa nesër, kur të jetë në qytetin juglindor. Presidenti Takaj pritet të mbërrijë nesër paradite në Korçë dhe pasdite do të ndjekë seancën e fundit stërvitore para Partizanit Ndoshta pas kësaj seance “bosi” do të takohet me të tijtë, ku përpos fjalëve që ka për t’u thënë për atë barazim të papritur në javën e dytë, do ta karikojë ekipin për ndeshjen e së shtunës, ku pret vetëm fitoren. Në analizë në fakt kritikat nuk ka diskutim që do të jenë prezente, pasi objektivi i klubit bardhekuq është titulli, por rëndësi ka që lojtarët të jenë sa më të motivuar për sfidën me të kuqtë. Rikthimi te titulli kampion është misioni i madh për këtë Skënderbe dhe lojtarëve u kërkohet me ngulm, që këto rezultate të mos përsëriten edhe ndaj pretendentëve si Partizani, Kukësi e ndonjë tjetër.