Veterani i Lushnjes pranon se humbja erdhi vetëm nga superioriteti fizik i italianëve në 45 minuta e dyta
Arjan Likja
E shtuna dhe e diela janë lënë në dispozicion të lojtarëve për të pushuar, ndërkohë që nesër ekipi i Lushnjes do të vihet nën urdhrat e trajnerit Artan Bano për të vijuar përgatitjet. Sa i takon fazës përgatitore, ende nuk dihet se kur verdhejeshilët do të zhvendosen drejt Pogradecit. Ndërkohë, kapiteni Gentian Çela, nuk ka udhëtuar me ekipin drejt Shqipërisë, pasi me lejen e drejtuesve ka preferuar të kalojë fundjavën në shtetin fqinj së bashku me familjen e tij. Në linjë telefonike nga Italia, veterani i Lushnjes tregon atë çka ndodhi në miqësoren e së enjtes ndaj Leçes. “Të luash një miqësore ndaj një ekipi italian, qoftë ky edhe i Serisë C, vërtet do të ishte luks për çdo ekip shqiptar. Lushnjes ia mundësuan këtë favor dhe ne u munduam ta shfrytëzojmë në maksimum këtë mundësi, edhe pse dy ekipet ishin me një kondicion fizik krejtësisht të pabarabartë. Duhet të pranojmë se niveli organizativ i kundërshtarit ishte shumë herë më lart se ne. Ajo që bëri diferencën dhe bëri të mundur pësimin e asaj humbje të thellë ishte disniveli fizik që ne kishim me kundërshtarin. Ne vinim nga hapat e para të fillimit të fazës përgatitore, ndërsa kundërshtari është shumë përpara në kohë me përgatitjet, pasi ka kryer dy ndeshje zyrtare dhe sot zhvillon ndeshjen e tretë të Kupës së Italisë. Por mund t’iu them se pjesa e parë ishte një paraqitje më e mirë e Lushnjes, pasi ekipi demonstroi vlerat e veta në kushte optimale të parametrave fizik. Në pjesën e parë ishim të vendosur më mirë në fushë dhe me pak kujdes mund të kishim kaluar në avantazh me Branicën apo me Sefën. Gjithçka për ne u mbyll pas përfundimit të pjesës së parë, pasi lodhja fizike bëri punën e vet. Ndryshe nga ne, kundërshtari luajti me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën freski fizike që nga minuta e parë deri në përfundim të ndeshjes. Kjo solli pësimin e katër golave, që vendosën edhe rezultatin përfundimtar të miqësores. Pavarësisht humbjes, unë e shoh me pozitivitet për të ardhmen, për shkak të paraqitjet së bërë. Këtë paraqitje premtuese unë e vura re edhe në miqësoren ndaj Laçit në “Roza Haxhiu”, ndërkohë që e përforcova me mënyrën si u vendosëm në fushë dhe si luajtëm në 45 minutat e para ndaj Leçes. Ky fakt më jep garanci, që me rritjen e parametrave fizik, ekipi ynë do të jetë mjaft kompetitiv dhe rezultativ gjatë kampionatit”, ka theksuar në mbyllje Gentian Çela.