Dinamo nuk po arrin të rikthehet në Superiore. Shkaqet janë të shumta, por mbi të gjitha rëndon situata financiare në këtë klub. Për t’u ngjitur në elitë duhet investuar dhe deri tani përpjekjet janë vetëm për ta mbajtur “gjallë” këtë klub.
Gjithsesi do tentohet sivjet. Trajneri Igli Allmuça nuk kërkon që të ketë pompozitet rreth ekipit të tij, por e mendon edhe ngjitjen në Superiore.
“Normalisht që është e vështirë Kategoria e Parë, ndryshe nga se duket. Jemi ambientuar dhe do bëjmë një hap cilësor për të tentuar diçka të madhe. Kush gabon më pak, kush është më serioz, do të mund të realizojë objektivin. Nuk ka skuadra që bëjnë çudira këtu, apo kanë diferenca të mëdha. Vazhdimësia të bën të kesh rezultate të mira dhe të pretendosh”, është shprehur trajneri i bluve të kryeqytetit në “Supersport”.
Ai flet edhe për situatën në ekipin e tij momentalisht: “Skuadra ka gjendje të mirë, jemi shfaqur mirë në ndeshjet miqësore, ka dëshirë dhe shpresojmë që kampionati të tregojë forcën tonë të vërtetë”.
Një nga afrimet e kësaj vere është mesfushori Jetmir Sefa, i cili ka dalë kampion në elitë me Tiranën dhe Skënderbeun, kurse vjet ishte pjesë e Lirisë së Prizrenit në Kosovë. Mesfushori është rikthyer në Shqipëri dhe do të luajë me Dinamon.
“Ekipi ka djem të rinj dhe të mirë, që pretendojnë të dalin lart. Shpresojmë që të merren edhe lojtarë me eksperiencë dhe të luftojmë për Superioren. Dinamo është ekip i madh dhe shpresojmë të arrijmë objektivin Superiore”.