Enea Koliçi ishte “blerja” më e fortë e Kukësit në këtë merkato. “Gardiani” u bind dhe pranoi ofertën e re të verilindorëve duke nënshkruar kontratën e re me ta. Presidenti Safet Gjici e bindi portierin të kthehej dhe për këtë ndikuan edhe paratë, pasi numri një i klubit i rriti ndjeshëm rrogën Koliçit. Tashmë është radha e Albi Allës, nëse herën e parë funksionoi me Koliçin, pse të mos funksionojë edhe me mbrojtësin. Tashmë ka edhe një mundësi më tepër, ndërmjetësimin e Koliçit. Duke parë miqësinë e mirë të të dyve, presidenti Safet Gjici ka futur numrin një të portës ta bindë për t’u rikthyer.
“Sport Ekspres” publikoi lajmin për Allën dhe tashmë që informacioni u bë publik, në kampin verilindor nuk kanë ngurruar të dalin hapur, pasi ishte edhe vetë trajneri Mladen Milinkoviç që pranoi se priste afrimin e mbrojtësit pranë ekipit.
RIKTHIMI – Mundësitë që Alla të kthehet janë rritur. Situata e tij nuk po gjen zgjidhje dhe nuk ka arritur të marrë lejen e kalimin nga ekipi i Kukësit. Ekipi grek i Larisës nuk do të rrezikojë me të, prandaj zgjidhja më optimale për të është rikthimi te Kukësi. Presidenti Gjici do të veprojë në të njëjtën mënyrë siç ka vepruar me portierin Koliçi, ai ka futur ndërmjetës pikërisht këtë të fundit, për t’i komunikuar mbrojtësit ofertën e re. Gjici i ka dyfishuar rrogën Allës dhe pritet që lojtari, në rast rikthimi, të marrë rreth 5 mijë euro në muaj. 24-vjeçari kishte një rrogë mujore 2.5 mijë eurosh në muaj dhe tashmë shkon te 5 mijë euro nëse zgjedh të rikthehet. Gjithashtu, Alla do të ketë një kontratë me shumë ndryshime nga ajo e vjetshmja, të pastruar nga klauzolat e zakonshme që po krijojnë probleme e polemika te Kukësi, si ajo e detyrimit për të luajtur në kupat e Europës, apo rinovimi automatik në dorë të klubit. All vendimin duhet ta marrë shpejt, pasi koha është e limituar me nisjen për fazën përgatitore në prag, Superkupën dhe fillimin e kampionatit që presin “pas derës”.
KAMPI VERILINDOR – Në kampin e Kukësit kanë besim se lojtari mund të rikthehet. Trajneri Milinkoviç dhe stafi i tij e dëshirojnë shumë këtë “dhuratë” nga presidenti Gjici. Numri një i stolit e pëlqen shumë Allën dhe e konsideron mbrojtjen e mbyllur me afrimin e tij. Lojtari vetë nuk ka pranuar që të flasë për këtë çështje, por mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim…