Fidan Aliti nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Skënderbeut. Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës nesër pritet që të firmosë në Suedi, ku e pret krahëhapur skuadra e Kalmarit. Skuadra suedeze është gati për të blerë kartonin e lojtarit të korçarëve. Ndeshja e sotme me Kastriotin ka qenë fundit për mëngjarashin, i cili është gati për të nisur një aventurë të re.
Lojtari pritet që të nënshkruajë një kontratë të re dhe Skënderbeu do të përfitojë një shumë prej afro 150 mijë eurosh. Shifrat mbeten për t’u konfirmuar, por e sigurt është që e ardhmja e 25-vjeçarit është larg Shqipërisë. Lajmi është konfirmuar nga burime të sigurta pranë klubit korçar për “SportEkspres.com”.
Te Kalmari më parë është aktivizuar edhe portieri i Kombëtares Etrit Berisha. Të treja palët kanë rënë dakord dhe nesër pritet që të kurorëzohet dhe ky transferim. Edhe një herë tjetër klubi korçar dëshmon se vijon të bëjë një punë mjaft të mirë me transferimet e lojtarëve.
JURGEN ZELA