Trajneri Daja me dhimbje koke, pasi sulmuesi kryesor i ekipit nuk ia del. Emiljano Vila e nis titullar ndeshjen e së premtes nme Luftëtarin
Leonard Trebicka
Korçarët kanë humbur edhe lojtarin e tyre kryesor në vijën e parë të sulmit, Ali Soue, për ndeshjen e javës së 17-të me Luftëtarin. Një mungesë, që i prish shumë punë trajnerit Ilir Daja, sepse nuk do të ketë në dispozicion një nga lojtarët kryesorë në këtë transfertë. Skënderbeu e fillon me mungesa vitin, ku kjo e fundit e ka bërë vërtet me dhimbje koke trajnerin Ilir Daja, sepse janë edhe disa lojtarë të tjerë jashtë grupit në këtë moment. Kështu, dje ka ndryshuar strategjia për ndeshjen me Luftëtarin në Gjirokastër. Emiljano Vila, durrsaku i ardhur në merkaton e dimrit, do ta nisë titullar ndeshjes së premtes, duke zbritur në fushë me fanellën e Skënderbeut ndoshta më shpejt nga sa e kishte menduar edhe vetë.
SOUE – Mungesa e golashënuesit më të mirë të Skënderbeut, Ali Soue, me 6 gola të shënuar, do të ndikojë shumë, pasi korçarët e kanë ndërtuar lojën pikërisht te ky futbollist. Në ndeshjen e fundit miqësore që Skënderbeu luajti ndaj Aktobes në Antalia, sulmuesi nuk u aktivizua asnjë minutë, sepse stafi teknik mendoi të mos e rrezikonte. Soue ndjente dhimbje në këmbë dhe stafi mjekësor kishte punuar gjatë këtyre ditëve për ta kthyer sa më parë, por nuk ia ka dalë. Në seancën e djeshme stërvitore, Ali Soue ka kryer vetëm vrapime të lehta rreth fushës dhe ishte dita e dytë që ai është stërvitur në mënyrë individuale. Kanë mbetur edhe dy ditë stërvitje dhe stafi ka menduar për formacionin, që do të zbresë në fushë të premten. Soue mund të jetë vetëm në stol, sepse për të luajtur nga minuta e parë as që bëhet fjalë. Një mungesë e madhe për korçarët. Në 16 javët e para të kampionatit Soue është aktivizuar 1272 minuta. Ndoshta në ndeshjen e javës së ardhshme ndaj Teutës në Durrës ai mund të luajë.
VILA – Lajmi i mungesës së Ali Soue nuk është pritur mirë nga trajneri Ilir Daja, që tani duhet të përziejë kartat. Nga burime pranë skuadrës korçare bëhet me dije se në fushë do të jetë nga minuta e parë një nga blerjet e merkatos së dimrit, mesfushori Emiljano Vila, i cili luan në të djathtë. Një lojtarë me tipare sulmuese do të jetë në fushë ndaj Luftëtarit si titullar, duke bërë që skema e Skënderbeut të mos ndryshojë. Kështu, Vila ka shansin e artë ta tregojë veten me fanellën e re. Vila do të zërë vendin e Gavazaj në ta djathtë të sulmit, kurse kosovari do të kalojë në të majtë, për të postuar Xhejmsin në majë të sulmit. Në merkaton e janarit është afruar edhe sulmuesi Blerim Krasniqi nga Apolonia, por ai është shumë i ri në moshë dhe nuk është gati të luajë titullar që në ndeshjen e parë. Ai do të jetë në stol, ndërkohë që sulmuesi tjetër, Martin Nespor, është larguar tashmë.
FORMACIONI – Të premten mungon Soue dhe në sulm futet Vila, duke sjellë spostimet e përmendura më lart. Po pjesa tjetër? Janë thuajse të njëjtët futbollistë që kanë qenë titullarë në ndeshjet e mëparshme. Duhen edhe dy ditë për të përcaktuar 100% formacionin e Skënderbeut ndaj Luftëtarit, por trajneri Daja ka menduar të luajë me skemën 4-3-3. Kapiteni Orges Shehi është i sigurt në portë, ndërkohë që mbrojtja është e bërë me Vangjelin djathtas, Micin majtas dhe Radasin e Jashanicën në qendër. Përpara tyre do të luajë Tefik Osmani, i cili do të bëjë shkatërruesin, kurse Muzaka dhe Lilaj, të dy në formë të mirë, do të organizojnë lojën. Përpara tyre do të luajnë Vila, Gavazaj dhe Xhejms. Ky i fundit do të bëjë sulmuesin e qendrës në këtë ndeshje.