Braziliani u ka kërkuar drejtuesve të PSG-së afrimin e yllit të Arsenalit dhe kombëtares kiliane
Paris SG-ja vazhdon të punojë për të përforcuar më tej radhët e saj. Këtë herë drejtuesit e klubit janë vënë në lëvizje për të plotësuar “dëshirat” e yllit brazilian, Nejmar. Ndër lojtarët që ai ka kërkuar si kusht për të firmosur në Paris kanë qenë Dani Alvesh – tashmë ai është pjesë e klubit francez – si dhe mesfushorin me tipare sulmuese të Arsenalit dhe kombëtares së Kilit, Aleksis Sançez. Nejmar iu bashkua PSG-së për shumën rekord të 222 milionë eurove në merkaton e verës, duke vendosur një rekord botëror. Dhe që me mbërritjen e tij në kryeqytetin francez, Nejmar ka formuar një treshe të jashtëzakonshëm në sulm së bashku me Edinson Kavanin dhe Kilian Mbape. Por, mediat në Francë kanë bërë me dije se Paris SG-ja është gati të shkëmbejë Kavanin me yllin e Arsenalit, Aleksis Sancez. Për më shumë që kiliani është në listën e dëshirave të Nejmarit.
Sipas gazetës franceze “Le Parisien”, Aleksis Sançez dhe Nejmar janë miq të ngushtë dhe braziliani e ka bërë të qartë qëndrimin e tij tek drejtuesit e klubit francez. Ai dëshiron që Aleksis Sançez të bëhet ylli i radhës që do t’i bashkohet PSG-së. Por përpara se Paris SG-ja të arrijë te Aleksis Sançez është mëse e qartë që klubi francez duhet të shesë një ose më shumë nga lojtarët e vet të rëndësishëm për të qëndruar brenda limiteve që i imponon fair-play financiar. Kavani do të ishte i sakrifikuari i madh, duke parë dhe problemet që ai ka shfaqur në raport me Nejmarin.
Edhe Draksler në lojë – Gjithsesi për Paris SG-në pritet të jetë jo fort e lehtë largimi i Edinson Kavanit. Ndaj mediat në Francë bëjnë me dije se Julian Draksler mendohet të shërbejë si shkëmbim me Arsenalin për Aleksis. Në këtë rast marrëveshja duket më e mundur, duke parë se gjermani i PSG-së pëlqehet shumë nga trajneri i “Topçinjve”, Arsen Venger. Por Paris SG-ja duhet të shpejtojë në lidhje me Aleksis Sançez, sepse në lojë për kilianin është dhe Mançester Siti, i gatshëm të përfitojë në çdo moment.