Alegri: Qëndroj për të fituar Championsin

 

Trajneri i Juventusit kërkonte më shumë nga pjesa e parë dhe shikon drejt së ardhmes për të arritur sërish deri në finale

Dy herë në finale, të dyja herët ndaj skuadrave spanjolle, të dyja herët të humbura në mënyrë shembullore: 3-1 kundër Barcelonës në vitin 2015 dhe 4-1 kundër Realit të Madridit dje në Kardif. Ky është Masimiliano Alegri, trajneri që revolucionarizoi Juventusin me ndryshim taktik në rreshtimin e lojtarëve gjatë këtij sezoni, nga 3-5-2 në 4-2-3-1. Por nëse në të gjitha ndeshjet e tjera ka pasur sukses me këtë ndryshim, ndaj Realit nuk mund të thuhet e njëjta gjë. I intervistuar pas ndeshjes, trajneri ka shpjeguar se çfarë nuk shkoi në pjesën e dytë: “Jam krenar për çfarë kanë bërë djemtë gjatë sezonit. Nuk kemi arritur të fitojmë kupën. Kemi bërë një pjesë të parë shumë të bukur, duke pësuar gol në goditjen e parë në portë me një kundërsulm. Në pjesën e dytë Pjaniç ka pasur një problem në gju, duke lëvizur shumë pak në sulm. Megjithatë djemtë i falënderoj shumë. Goli i 2-1 i ka prerë këmbët lojtarëve. Reali ka bërë një pjesë të dytë shumë të mirë, kanë lojtarë të jashtëzakonshëm që vendosin fatin e ndeshjes. Duhet të kishim kaluar në avantazh në 50 minutat e para, por është e kotë të mendojmë për “sikur” dhe “nëse”. Tani duhet të pushojmë, ka qenë një sezon shumë i gjatë. Jeta të jep mundësinë për të provuar përsëri. Do të analizojmë si të përmirësojmë skuadrën, aspektin e lojës dhe të kualitetit, por jo vetëm kaq.”

Energjitë e tepërta

Në pjesën e parë u pa një Juventus shumë energjik, ndërkohë që në të dytën Reali pati diçka më shumë. “Nuk kemi shpenzuar shumë energji. Në pjesën e parë kemi kontrolluar mirë, mund të kishim shkuar drejt golit me më shumë qetësi. Finalet nuk mund të luhen gjithmonë me 100 km/h. Ndeshjet luhen në një mënyrë të caktuar. Duhet të ishim në avantazh në pjesën e parë, por s’ka shumë për të thënë në pjesën e dytë, ku Reali ka qenë fantastik.”

Krahu i majtë

Në pjesën e parë pika e fortë e Juventusit ishte krahu i majtë, kurse në të dytën kjo ishte pikërisht e dobët. “Po, kështu ka qenë. Ata kanë rritur ritmin në pjesën e dytë, pasi në pjesën e parë nuk i lejuam të dilnin nga mesfusha e tyre. Kane fituar duelet e diskutueshme, ndërkohë që ne nuk po organizoheshim dot që nga mbrojtja. Kemi lejuar të goditet porta jonë dhe më pas erdhi ai devijim fatal. Nuk duhet të kishim pësuar golin e tretë, por të mendonim për të vazhduar ndeshjen dhe te tentonim barazimin.”

Shembull në Itali

Bardhezinjtë po mbajnë në këmbë një futboll italian që është në vështirësi të mëdha, duke bërë gjëra të jashtëzakonshme. Të gjithë tifozët duhet të ndihen të kënaqur për një sezon të tillë. “Objektivi ynë është që të bëjmë një tjetër Champions të madh dhe të fitojmë sërish gjithçka në Itali. Nuk do të ndalojmë, duhet të kthehemi sërish në finale. Jeta vazhdon dhe ne do të rinisim.”

E ardhmja

Në këtë mënyrë duket se është zgjidhur edhe e ardhmja e trajnerit, i cili deklaron se do të qëndrojë me bardhezinjtë: “Do të jem ende në pankinën e Juventusit. Dua të mbërrijmë në finale dhe të fitojmë këtë kompeticion. E dimë ku duhet të përmirësohemi. Gjatë këtij sezoni e kemi nisur me një rreshtim dhe më pas kemi ndryshuar. Për sezonin tjetër do të përgatitemi më mirë.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *