Masimiliano Alegri dje bëri gjithçka siç duhej ndaj Napolit dhe Juventusi i tij fitoi edhe pa bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshëm. Trajneri i “Zonjës së vjetër” e komentoi ndeshjen shumë ftohtë, madje duke përgëzuar vendësit dhe duke pranuar se ata vazhdojnë të jenë favoritët për t’u shpallur kampionë.
“Ky ishte një test i mirë për ne. E nisëm mirë pjesën e parë, kurse në të dytën Napoli nisi ta mbante më shumë topin, por pa krijuar ndonjë rast të mirë shënimi. Në pjesën e dytë bëmë aksione të mira para porte, siç pati shansin Matuidi, por ishim më keq. Arritëm të mbronim rezultatin me një gol diferencë dhe kaq mjaftoi. Higuain? Në futboll vrapimi të ndihmon, pak nga pak po përmirësohemi në disa aspekte dhe po luajmë më mirë. Kemi shtyrë shumë përpara. Duhet të përgëzoj Napolin, që është ende favoriti për titullin kampion, ngaqë aktualisht ka një pikë më shumë dhe luan një futboll të këndshëm”, – tha trajneri.
Taktika – I pyetur nëse ndeshja e djeshme ishte tepër taktike dhe me shumë krose, Alegri u përgjigj: “Normale që kundër Napolit duhet të mbyllesh mirë për të mos u vënë në vështirësi me topa vertikalë, duhet të jesh i organizuar mirë. Ndeshjen e fitoi skuadra që ka lojtarë të jashtëzakonshëm, që duan të vazhdojnë legjendën. Futbolli është edhe strategji, të kufizosh kundërshtarët dhe të shfrytëzosh pikat e tyre të dobëta”.