Olsi Rama ka zhvilluar një rrëfim të gjatë në emisionin “Sport Neës Plus” që transmetohet në “Neës 24”. Në këtë moment ku ndodhet futbollit shqiptar mund të flitet për shumëçka pasi vetë gara është e ndezur. Katër ekipe po kërkojnë titullin kampion si rrallëherë më parë, ndërsa një lojë e fortë po zhvillohet edhe nëpërmjet deklaratave. Këtë herë është Olsi Rama që i kthen përgjigje Laçit duke u shprehur se nuk është “piktor”, por “arkitekt”. Kurbinasit do ta cilësonin Partizanin si ekip piktorësh disa kohë më parë.
“Nuk do kisha menduar që në fillim këtë lloj gare. Pritshmëria ime ishte qe t’i merrnim maksimumin lojtarëve. Gjatë kampionatit ka pasur momente, sidomos në fazën e fundit, mund të ishim shkëputur. Është bërë gara më tërheqëse. Ne nuk e vendosëm objektiv titullin, pasi kur rifreskon stafin, vendosëm objektiva të tjera, të fillonim të ndërtonim një ekip me harmoni. Bllokimi i merkatos ishte një vështirësi e madhe.
Akuza nga Laçi? Di që gjoba ndaj Laçit për tifozët ka qenë 1 milionë lekë. Më vjen mirë që të ketë transparencë. Më vjen mirë që Komisioni i Disiplinës të japë vendimet ashtu siç duhet. Të jetë njësoj për të gjithë. Unë do e pranoj atë që është vendosur për mua. Unë kam detyrë për mbarëvajtjen e ekipit dhe garës. Për atë episod në Durrës i kam kërkuar gjyqtarit vetëm drejtësi dhe të mbajë lojën drejt. Nëse do ketë penallti reale, ta jepte pas asnjë hezitim edhe kundër Partizanit.
Gjici i ktheu përgjigje vetë Laskës. Gjicit i kam thënë faleminderit për fjalë. Dhe më tha që mesa kishte parë ne bëjmë lojën më të mirë. Kukësi është rivali jonë. Kanë qenë gjithmonë rivalët tanë. Respekti për Gjicin, që tha se Partizani ka treguar supermaci. Fitorja ndaj Kukësit ishte e merituar në fushë. Kishte akuza nga Laçit për piktorë, por unë i thashë se nuk jam piktor me profesion, jam arkitekt. Aleanca? Sa të jem unë dhe Demi këtu do ketë vetëm ndershmëri. Ju siguroj, se unë nuk shqetësohem, pasi dëgjoj gjëra më të zeza. Nuk shqetësohemi për akuzat e kundërshtareve. Le të vazhojnë t’i fryjnë mullinjve të erës, por ata nuk lëvizin me frymë”, tha Rama. /Sport Ekspres/