Ai ka spikatur sezonet e fundit me Laçin, duke fituar me meritë më pas edhe një vend stabël në formacionin e Kombëtares U-21. Albion Marku, 20-vjeçari i lindur në Rrëshen është shndërruar në një nga mbrojtësit e djathtë më të spikatur të ekipeve Kombëtare të moshave dhe tashmë synimi i radhës është Kombëtarja A. Në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në Fshf.org, lojtari i talentuar tregon si e nisi rrugëtimin e futbollit, shkëlqimi me fanellën e Laçit e deri te ftesa nga kuqezinjtë. Kur ishte 18 vjeç, mbrojtësi shqiptar u transferua te NK Lokomotiva e Zagrebit, por këtë sezon ai do të luajë si i huazuar në radhët e Partizanit. Me të kuqtë ai shpreson të bëjë një tjetër sezon të mirë me synimin për të arritur shumë shpejt te Kombëtarja A.
Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
Futbolli ka qenë pjesë e pandashme e imja që në vegjëli në qytetin tim, në Rrëshen. Personi që më nxiti edhe që besoi tek unë është trajneri im i parë Elvis Lleshaj. Që në momentet e para që filluam të stërviteshim bashkë gjithçka ndryshoi tek unë dhe dëshira e madhe e tij si trajner i ri më bëri të rritem shumë e të kaloj hap pas hapi të gjitha vështirësitë që më dilnin rrugës.
Prej kohësh je pjesë e ekipeve Kombëtareve të moshave. Si ndiheni me ekipet kombëtare dhe ç’mund të na thoni për marrëdhëniet me grupin dhe stafin teknik në Kombëtare? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur pas transferimit në Kroaci?
Fanella e ekipit kombëtar është gjëja më me vlerë që mund ketë një futbollist në karrierën e tij, himni kombëtar është kënga më e preferuar e çdo futbollisti mendoj dhe të mbush me krenari kur e dëgjon para çdo ndeshjeje.
Ndihem shumë i motivuar kur vesh atë fanellë, shume i qetë dhe i plotësuar. Marrëdhëniet me shokët e skuadrës është fantastike, me të gjithë shokët jemi si familje.
Mendoj se ecuria do të jetë më e mira e të gjitha viteve, pasi stafi ka shume besim tek ne edhe është diçka e shprehur më së miri falë edhe grupit e stafit që kemi.
Sa i përket klubit, e kam pritur prej kohesh këtë transferim, kam punuar shumë që të bind ata që të jem pjesë e një klubi të huaj siç është Lokomotiva e Zagrebit. Uroj shumë që të bëhem një lojtar i rëndësishëm shumë shpejt.
Pas negociatave me klubin kroat vendosëm bashkërisht që të pranojmë ofertën e Partizanit dhe të luaj për këtë klub në kategorinë elitare shqiptare. Kalimi te Partizani mendoj që do të më ndihmojë shumë për të ardhmen, pasi është një klub i madh ku ka profesionalizëm të lartë dhe punohet shumë. Të them të drejtën më kanë pritur shumë mirë dhe ndihem shkëlqyeshëm këtu.
Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (debutimi me ekipin kombëtar te moshave)
Ftesa e ekipit kombëtar, të them të drejtën e prisja, por kur kjo gjë u bë realitet nuk e besoja. Doja sa më shpejt ta ndaja këtë lajm shumë të bukur për mua me familjen time.
Jam emocionuar shumë në debutimin me ngjyrat kuqezi, ishte diçka e veçantë që nga akomodimi me skuadrën, fjalët e trajnerit, zbritja në fushë, himni kombëtar, loja dhe gjithçka tjetër.
Si e shikoni të ardhmen e ekipeve Kombëtare duke pasur parasysh brezin e lojtarëve që kemi aktualisht? A jeni optimist?
Mendoj se ekipet kombëtare kanë kontingjentin më të mirë të futbollistëve, kanë plot emra që luajnë në ekipe e kampionate shumë të fortë e për këtë arsye ekipet kombëtare dhe lojtarët shqiptarë po rriten shumë. Gjithashtu stafet bëjnë punën më të madhe për të evidentuar më të mirët. Mund të them me bindje se jam shumë optimist për të ardhmen e ekipeve kombëtare.
Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.
Episodi më i rëndësishëm për mua ka qenë ftesa që mora me ekipin Kombëtar A pavarësisht pamundësisë për t’u grumbulluar.
Ndërsa, momenti me i rëndësishëm me klubin ka qenë pikërisht me Laçin, kur kemi kaluar turin në Europa League. Ka qenë një ndjesi e papërshkrueshme.
Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
Futbolli ka shumë sakrifica dhe vetëm një futbollist e di se sa rrugë e vështirë është për t’u ngjitur deri në majë e për t’u bërë futbollist profesionist. Kam pasur shumë sakrifica gjatë karrierës, por dua t’i mbaj si diçka personale.
Çfarë synimi ke për të ardhmen?
Synimi im për të ardhmen është që të arrij të bëhem pjesë e rregullt e Kombëtares A dhe gjithashtu të bëhem një nga elementët më të rëndësishëm të përfaqësueses.
Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?
Modelet e mia janë të gjithë ata që punojnë fort për të arritur aty ku duan. Futbollistët me karakter të fortë dhe ato që nuk dorëzohen asnjëherë deri në realizimin e ëndrrave.