“Alban Hoxha më i miri, ja si u binda të vij te Kastrioti”

Kastrioti ka bërë disa lëvizje gjatë merkatos së janarit dhe një prej përforcimeve është edhe portieri Amarildo Çekrezi, i cili ka një të shkuar në Belgjikë. Një vit ishte pranë Luftëtarit, por transferimi i tij nuk u përmbyll. Tanimë po provon eksperiencën e parë në Superiore me krutanët.

“Deri tani jam ambientuar shumë mirë dhe shpejt. Viti im i parë që luaj këtu dhe jam shumë i kënaqur. Ka ekipe me rivalitet dhe kampionati është i bukur. Shpresoj që të arrijmë objektivat që ka vendosur klubi”, shprehet Çekrezi për “Telesport”.

Ai tregon edhe si u bë pjesë e Kastriotit: “Trajneri Bledar Devolli më kontaktoi në janar dhe më ftoi që të bëhesha pjesë e Kastriotit. Ishte një mundësi që nuk e mendova dy herë dhe pranova direkt”. Në ndeshjen me Laçin pati kritika për të, kurse në Vlorë një javë më pas u bë shpëtimtar.

“Unë mundohem që të jap gjithmonë maksimumin. Në Vlorë bëra një paraqitje të mirë, por kjo nuk do të thotë se unë duhet të kënaqem me kaq. Duhet të kërkoj gjithmonë më shumë nga vetja. Kritika do të ketë dhe i kuptoj”, shton portieri, i cili në të shkuarën është grumbulluar edhe nga Shqipëria U21.

Roli i një portieri në një skuadër është shumë i rëndësishëm dhe për Çekrezin Alban Hoxha ka shumë merita që Partizani është në krye. Kuptohet që portieri nga Cërriku është edhe më i miri për “gardianin” e krutanëve. “Për mua, portieri më i mirë në kampionatin tonë është Alban Hoxha. Ai ka merita të mëdha që Partizani ndodhet në vendin e parë”, shprehet Çekrezi.

Në fund, i pyetur në lidhje me objektivin mbijetesë, si dhe për ndeshjen me Tiranën, ai shprehet: “Do të jetë e vështirë, por shpresoj që t’ia dalim mbanë dhe të shpëtojmë. Tirana? Në çdo ndeshje do të mundohemi që të marrim maksimumin, pasi kemi vetëm finale deri në fund të sezonit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *