Partizani gëzoi në fund për fitoren me Laçin, por festa mund të prishet nga kapiteni Alban Hoxha. Portieri ishte shpëtimtar për ekipin e tij atëherë kur duhej, por tanimë mbetet për t’u parë nëse ka pësuar ndonjë dëmtim tjetër në gju.
Në grumbullimin e fundit me kombëtaren në muajin tetor, Hoxha u dëmtua dhe la grumbullimin. Në ndeshjen e sotme me kurbinasit u desh që në një moment të futeshin mjekët në fushë për t’i dhënë ndihmë portieri të të kuqve.
Edhe pas ndeshjes Hoxha shfaqi probleme. Ai u pa i shtrirë në tokë dhe mjekët sërish shkuan drejt tij. Tanimë pritet të mësohet gjendja e portierit, i cili mund të humbasë grumbullimin e kombëtares për ndeshjet me Skocinë dhe Uellsin.