Skocia në alarm dëmtimesh, përpara ndeshjes së 17 nëntorit me Shqipërinë. Në sfidën e fundit të kuqezinjve në Ligën e Kombeve, që do të luhet në stadiumin Loro “Boriçi” të Shkodrës, trajneri Aleks MekLish nuk do të ketë në dispozicion disa emra të rëndësishëm.
Problemi më i madh i skocezëve është në fazën ofensive, aty ku sulmuesi i Sëlltik, Leigh Grifiths dhe ai i Harts, Stiven Nainsmith janë të dëmtuar dhe nuk do të jenë pjesë e skuadrës që do të udhëtojë drejt Shqipërisë dhe më pas do të ndeshet me Izraelin.
Nainsmith ishte titullar në ndeshjen e kaluar me kuqezinjtë, më 10 shtator, madje shënoi edhe golin që vulosi fitoren 2-0 të Skocisë, ndërsa Grifiths u aktivizua nga stoli. Mungesa e dy sulmuesve ka bërë që trajneri MekLish të grumbullojë në skuadër Stiven Fletçer të Shefill Uednesdej, i cili rikthehet në përfaqësuese prej tetorit 2017.
Mungesa e alternativave te rivalët është një avantazh për Shqipërinë, që do të kërkojë fitoren e dytë në grupin e Ligës së Kombeve. Ky rezultat do ti mbante kuqezinjtë e Panuçit në garën për vendin e parë, edhe pse nevojitet një kombinim thuajse i pamundur që kjo të ndodhë.