Dejvi Bregu ka përjetuar një sukses të dyfisht në këtë sezon të sapo përfunduar, duke u kurorëzuar si në aspektin individual ashtu edhe në atë ekipor. Futbollisti vlonjat ngriti në qiellin e Durrësit titullin kampion të Kategorisë Superiore, kampionat në të cilin arriti të shpallej edhe golashënuesi më i mirë. Në një intevistë të dhënë për gazetaren Enxhi Biba në “News 24“, Bregu rrëfehet më tepër rreth këtij sezoni si dhe të ardhmes së tij.
Ofertat në fillim të sezonit
“Vjet ndodhën disa momente që mund të largohesha jashtë Shqipërisë. Ishte një pistë thuajse zyrtare në Poloni. Hjërat nuk shkuan ashtu siç doja unë dhe kalova te Teuta. Te Teuta besoj mundi dhe djersa që derdha unë dhe gjithë ekipi e shpërblyem në fund me kampionatin. Është e vërtetë që kam pasur edhe ofertë nga ekipet shqiptare. E kisha vendosur që nëse do të qendroja në Shqipëri do të shkoja te Teuta. Besoj se ishte zgjedhja më e mirë për mua dhe kjo u pa në kampionatin që sapo zhvilluam“.
Rënia e Flamurtarit në Kategorinë e Dytë
“Ndihem shumë keq si unë dhe çdo vlonjat sepse Flamurtari është krenaria e këtij qyteti. Të gjithë personifikohen me Flamurtarin. I uroj ngjitjen sa më shpejt dhe të kthehet në Superligën shqiptare, pasi edhe vetë sportit shqiptar i mungn një ekip si Flamurtari dhe një ekip si Vlora“.
Teuta ekipi më i mirë i sezonit?
“Sipas mendimit tim, po. Ka të tjerë që mendojnë ndryshe, unë e kuptoj këtë, sepse sporti i ka të gjitha llojet e mendimeve. Në momentet delikate treguam që kishim dëshirë ta fitonim ndeshjen dhe arritëm ti fitonim, sidomos përballjet direkte. Ndeshjet me të voglat shumë pak kemi gabuar. Është e vërtetë që kemi marrë shumë barazime, por kemi bërë pak humbje. Barazimet përkthehen në pikë, kurse humbjet jo. Ai karakteri i skuadrës dhe fryma e grupit që treguam në vazhdimësi na solli te fitimi i titullit“.
Akuzat e Brdariç
“Janë të kuptueshme nga trajneri i Vllaznisë. E komplimentoj në radhë të parë për performancën e skuadrës së Vllaznisë, një nga ekipet më të forta këtë sezon. Por ne e kemi fituar këtë kampionat me djersë dhe me gjak. Apolonia është munduar të na prishë festën po nuk ia arriti dot pasi falë Zotit ishte ekipi në formë shumë të mirë atë ditë dhe mbështetja e tifozëve na dha atë lojtarin e 12. Akuzat janë të kuptueshme jo vetëm nga trajneri i Vllaznisë por nga kushdo në kampionatin shqiptar. Di të them që ne na janë mohuar shumë penallti dhe klubi jonë nuk e ka bërë asnjëherë çështje këtë problem. E kemi fituar këtë kampionat me meritë“.
Fitimi i titullit dhe të “këpucës së artë”
“Ka qenë një vit që unë rrallë do e harroj. Nuk e kisha provuar ndonjëherë ndjenjën e kampionit. Kisha fituar Superkupën me Skënderbeun, por ndjesia e kampionit është tjetër gjë. Diçka që nuk krahasohet. Nuk krahasohet as me golashënuesin e Superiores, pasi për mua nuk ka qenë ndonjëherë rëndësi të isha golashënues. Në aspektin kolektiv të fitoja një titull që do mbahet mend shumë gjatë si në Durrës ashtu edhe nga ana ime personale”.
Kualifikueset e Champions League
“Kënaqësi të luash të tilla ndeshje dhe akoma më shumë kënaqësi ti luash me ekipin që sapo je shpallur kampion. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që të kalojmë ture si në Champions League, Europa League apo edhe në Conference League. Që në fillim nuk e kam menduar se do i bëja këto ndeshje se do ishte reklamë. E kam bërë se ishte dëshira ime shumë e madhe dhe e presidencës që ta mbyllim me ndeshjet e Europës. Është një mundësi e mirë që edhe klubi të përfitojë prej tyre“.
E ardhmja
“Pavarësisht se këtë vit shumë rrallë kam dalë në studio dhe intervista, ndoshta edhe vjet kam bërë gabim që e kam shprehur dëshirën time. Mendoj se është gjëja më e mirë për mua sepse e kam arritur atë pjekurinë edhe në moshë, edhe në karakter dhe në lojë për ta bërë atë hap. Po për momentin nuk ka asgjë konkrete. Janë vetëm diskutime. Nuk kemi negociuar me Teutën, pasi presidenti është një xhentëllmen i vërtetë dhe më ka lënë të qetë duke e ditur dëshirën time. I kemi diskutuar gjërat që në fillim kur kemi firmosur kontratën. Doja ta falenderoja nga zemra për marrëdhënien që kemi pasur. Kemi pasur një marrëdhënie shumë korrekte, shumë burrërore“, ka deklaruar Dejvi Bregu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/