Në Kuçovë lojtarëve u ka kaluar një rrogë, por vetëm atyre që kanë mbetur pjesë e ekipit. Të larguarit kërkojnë të shlyhen sipas kontratave
Edi Spahiu
Naftëtari është duke kaluar një krizë financiare dhe këtë e tregon fakti që skuadra prej tre muajsh nuk ka marrë pagat. Por veprimi më i fundit që klubi ka kryer dy ditë më parë, është kalimi i një page. Në mbrëmjen e së enjtes në darkë, futbollistët janë njoftuar nga banka se kishin për të tërhequr lekë, por kanë ndjerë keqardhje kur kanë mësuar se atyre u kanë kaluar në bordero vetëm nga një rrogë mujore. Po qe se llogaritet paga prej 24 mijë lekë të reja që kanë futbollistët me gjithë taksa, atëherë imagjinohet shumë lehtë se çfarë pezmatimi kanë pësuar kur kanë tërhequr jo më shumë se 20 mijë lekë të reja nga bankomati. Për futbollistët e larguar nuk është marrë mundimi të shlyhen sipas detyrimeve që klubi ka sipas kontratës së nënshkruar mes palëve. Klubi i Naftëtarit, me dijeninë e plotë të stafit teknik, e ka anashkaluar qëllimisht detyrimin që ka për të gjithë futbollistët pa përjashtim që kanë kontribuar për Naftëtarin. Një prej futbollistëve të larguar është shprehur se tekniku Fraholli me këtë veprim i ka ndarë futbollistët në të nënës dhe të njerkës. Kjo tregon se kriza financiare ka çuar në dështimin e skuadrës dhe është një realitet për të cilin mbajnë përgjegjësi direkte drejtuesit, të cilët kërkojnë që të motivojnë skuadrën përpara Apolonisë me shpërndarjen e një rroge mujore. Futbollistë të larguar nga Naftëtari, por që kanë kontribuar deri në momentin e largimit, kanë akuzuar për diskriminim klubin dhe trajnerin Fraholli që nuk i ka paguar, si dhe kanë premtuar se do të kërkojnë të drejtën e tyre në FSHF për këtë rast.
MERKATO
Organika e Naftëtarit duhet thënë se është duke u ndryshuar nga afrimet e futbollistëve të rinj. Së fundi janë afruar edhe dy lojtarë, siç janë sulmuesi Gjonbalaj dhe mesfushori Myrtja, të cilët së bashku me rikthimin e vëllezërve Gega plotësojnë boshllëkun e krijuar nga largimet më të fundit. Kështu plotësohen disa nga nevojat më emergjente të Naftëtarit përsa i përket organikës dhe shpresohet se do vijohet të luftohet për të qëndruar në Kategorinë e Parë.