Akuza tronditëse nga Spanja rreth Barcelonës dhe Erik Abidal. Dhe kjo nuk ka të bëjë me rolin e ri drejtues të ish-mbrojtësit. Gjithçka lidhet me sëmundjen që në të kaluarën i rrezikoi jetën dhe karrierën sportive. Sipas hetimeve të gazetës “El Confidencial”, në momentin kur francezi duhej të bënte patjetër transplant, ish-presidenti “blaugrana”, Sandro Rosell i bleu në mënyrë ilegale mëlçinë.
Në vitin 2012, kur Abidal i’u nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, u përfol për donacionin nga një i afërm i ish-lojtarit, por bisedat e regjistruara nga policia dhe të publikuara tashmë në media, kanë hedhur dyshime të forta për prejardhjen e mëlçisë. Sipas “El Confidencial”, organi për Abidal u ble pasi u konfirmua sëmundja e rëndë. Fillimisht mbrojtësi u operua për të hequr tumorin dhe u kthye në fushë, por vetëm kjo nuk mjaftoi. Francezi nuk kishte rrugë tjetër përveç transplantit, që sipas përgjimeve u realizua falë ndërhyrjes së Rosell.
Por, në tabulatet e publikuara, personazhi i panjohur që bisedonte me ish-presidentin e Barcelonës në telefon, i tha se Abidalit iu ble një mëlçi e re. Regjistrimet ishin pjesë e hetimit për pagesa të mundshme të jashtëligjshme për Federatën Braziliane, akuzë për të cilën më pas Rosell përfundoi në burg. Sipas policisë, detajet e reja mund të hapin një tjetër çështje, me akuzën e trafikut të organeve. Hetimet ndërkohë vazhdojnë.