“Air Albanian e kemi ters”, “ushtar“ Telushi me superlativa për Trashin: Krahu i majtë do jetë bosh, të hiqet numri 19 te Partizani

Bruno Telushi është një nga elementet më të rëndësishme të Partizanit. Një titullar fiks në mesfushë, që i ka dhënë shumë skuadrës së kuqe, me të cilët nuk kanë munguar as golat në fushën e lojës. Lojtari shqiptar ka dhënë një intervistë për “RTSH Sport”, ku ka folur gjerë e gjatë për shumë tema, duke nisur që nga ecuria e Partizanit, e ardhmja, marrëdhënia me tifozët dhe raporti me Trashin.

“Kemi bërë mirë këto javët e fundit. Ndoshta na dhanë pak ndihmë ato ndeshjet me Gjirokastrën dhe Flamurtarin, të shikojmë në vazhdim tani. Kjo javë është shumë domethënëse për ne, të japim maksimumin. “Air Albania” ka qenë një stadium ters për ne, por shpresoj që këtë herë të japim maksimumin dhe ta thyejmë këtë gjë. Ky vit ka qenë shumë i vështirë sepse nuk kemi pasur ato rezultate që ne vërtetë prisnim nga fillimi i sezonit. Një lider apo disa lider të ekipit u bie gjithë ngarkesa e këtyre ndeshjeve negative, i marrim ne përsipër dhe normalisht nuk ndihem fare mirë.

Lerda apo Sormani?

“Me të dy trajnertët kam pasur marrëdhënie të mirë. Por do zgjidhja Sormanin nga pjesa e punës që bën për ekipin dhe nga përkushtimin që ka për të”.

Gega

“Te ne mbetet trajneri kampion. Ai erdhi në ekip, mori përsipër shumë gjëra, ia doli mbanë deri në fund të arrijë titullin kampion. Kjo nuk është e lehtë për një trajner, sidomos këtu te Partizani ku titulli mungonte për shumë vjet”.

Ndeshja më e keqe

“Ndeshja e derbit këtë vit, 5-1, është një ndeshje që nuk e meritonim atë lloj rezultati”.

Trashi

“Marrëdhënie më të mirë kam me Trashin dhe Bitrin. Po me Trashin harxhoj më shumë kohë. Për largimin e tij u ndjeva si të largohesha vetë. Trashin e kam shumë shok të mirë dhe kalojmë si vëllezër. Mu bë shumë qejfi për atë transferim. I thoja gjithmonë që duro se do të sjellë diçka fati për të dalë jashtë Shqipërie, sepse kohët e fundit sikur i kishte humbur ato shpresat dhe i thoja duro, ki besim. Trashi do i mungojë Partizanit në krahun e majtë, sepse ka shumë vite aty dhe të gjithë e dimë çfarë jepte Trashi në fushë. Do jetë si bosh ai krahu i majtë. Por mendoj dhe këtë që numri 19 të hiqet te Partizani deri në momentin që ai vendos të ktheht prapë të mbyllë karrierën”.

Shkëndija apo Partizani

“Pa e menduar fare do zgjidhja Partizanin. Kam pasur kontakte nga Shkëndija, por dua që t’i qendroj deri në fund Partizanit pasi nuk dua të më hallakatet mendja këto ndeshje”.

Tifozët

“Të humbësh në derbi nuk është se humb thjesht në fushë, por edhe jashtë saj. Është ajo ndjesia te tifozët. Ata e vuajnë më shumë, sepse futbollistët te Partizani mund të luajnë 1 vit, dy vjet, por tifozeria mbetet me Partizanin tërë kohën. Për këtë të vjen më shumë keq pas ndeshjeve. Më vjen mirë që i jam futur në zemër tifozëve të Partizanit, sepse kjo është shumë e rëndësishme për një futbollist. Ndihem shumë mirë që ata më vlerësojnë”.

Çfarë do ndryshonte nga e kaluara

“Do kërkoja të largohesha më shpejt nga Vlora në momentin që kam pasur oferta, pasi kam pasur shumë oferta edhe nga jashtë. Nuk e di çfarë më ka bërë të qendroj aty”, ka deklaruar Bruno Telushi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *