Mesfushori i Mariborit: Në Europë ka surpriza dhe Partizani ka cilësi. Jemi të përqendruar për ta kaluar këtë tur, futbollin shqiptar e njohin nga Skënderbeu
Jurgen Zela
Partizani u njoh dje me kundërshtarin që do të ketë përballë në turin e parë të Europa League. Fati deshi që të sfidonte një nga skuadrat më të forta këtë edicion, nënkampionët e Sllovenisë, Mariborin. Në radhës e skuadrës sllovene luan dhe një lojtar i përfaqësueses kuqezi, Valon Ahmedi. Mesfushori me tipare sulmuesi ka dhënë përshtypjet e tij të para për “Sport Ekspres” menjëherë pas shortit të hedhur në Nion të Zvicrës.
SHORTI – “Ahmedi i vlerëson maksimalisht kryeqytetasit, duke theksuar fillimisht se nuk përjashtohet mundësia që “demat” të bëjnë surprizën: “Sa përket shortit mund të them se nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, sepse tashme në futboll nuk duhet nënvlerësuar asnjë kundërshtar, pasi Europa të sjell gjithmonë surpriza, kjo për faktin se janë vetëm 2 ndeshje. Duhet t’i marrim ndeshjen seriozisht dhe ta kalojmë turnin. Vijmë nga një sezon shumë i shkëlqyer për klubin, pas pjesëmarrjes në Champions League, pasi bëmë paraqitje shumë të mira. Duhet ta respektojmë Partizanin, pasi ka një ekip cilësor.?Testi me Kukësin kaloi shumë mirë, pasi fituam dhe bëmë një paraqitje shumë të mirë si ekip”.
INTERESIMI – I pyetur nëse janë interesuar tek ai shokët e skuadrës apo drejtuesit për Partizanin dhe futbollin shqiptar në tërësi, 23-vjeçari shprehet se në Slloveni e njohin futbollin shqiptar dhe për këtë meritë ka edhe Skënderbeu: “Futbolli shqiptar tani është zhvilluar dhe njihet edhe jashtë, pasi Skënderbeu ka bërë paraqitje të mira në Europë. Futbollin shqiptar e njohin dhe kanë respekt për ekipet në përgjithësi”.
EMOCIONET – Ahmedi do të zbresë për të parën herë si një kundërshtar në Shqipëri. Vetë ai e pranon se do të jetë një ndeshje ndryshe, megjithatë do të japë më të mirën e tij për skuadrën e Mariborit: “Do jetë një ndeshje si gjithë të tjerat, me fokusim maksimal sepse Europa është një kompeticion që duhet përqendrim maksimal. Mund të them që do të jetë një ndeshje më ndryshe në aspektin e personal, pasi është një ekip i Shqipërisë që e njoh, sepse e kam ndjekur kampionatin shqiptar”.
ASPEKTI PERSONAL – Këtë sezon mesfushori nga Ohri është aktivizuar vetëm në 16 ndeshje duke shënuar dhe një gol. Për gazetën ai tregon dhe arsyet se pse nuk ka pasur më shumë hapësira, por për të ardhmen nuk zbulon asnjë detaj: “Në pjesën e dytë të kampionatit nuk kam pasur hapësira sepse kanë qenë zgjedhjet e trajnerit që duhen respektuar. Për të ardhmen nuk e di akoma. Gjithçka është e mundur”.
MARIBORI – Maribori e humbi titullin në metrat e fundit këtë edicion, por siç duket kjo gjë nuk ka shkaktuar furtunë, diçka që Ahmedi e zbulon: “Është e vërtetë që në Slloveni, Maribori pretendohet të jetë kampion çdo vit. Për momentin jemi shumë të fokusuar dhe objektivi është pjesëmarrja në Europë”, ka përfunduar prononcimin e tij Valon Ahmedi.