Ansi Agolli ka folur pas ndeshjes së barazuar në “Loro Boriçi”, mes emocioneve, përballjes së vështirë dhe sigurisht kundërshtarit, Kukësit, duke konfirmuar atë që ai kishte thënë gjithmonë se në Champions nuk ka kurrë kundërshtarë të lehtë, sidomos në 180 minuta. Për RTSH Sport, ish-kapiteni i kombëtares dha një intervistë të shkurtër.
Si ishte të luaje në Shqipëri?
Gjatë gjithë këtyre viteve jashtë, duke qenë se kemi qenë gjithmonë në Europë, nuk më kishte qëlluar rasti të vija në Shqipëri, isha pak me emocione, përpos eksperiencës që kam si futbollist. Këtë ndeshje në atdheun tim nuk e kisha në cv kështu që u pasurua.
E mendoje Kukësin kaq të vështirë?
Padiskutim që Kukësi vit pas viti e ka treguar që ka grup të mirë, drejtues të aftë, përpara disa vitesh kaluan disa ture paraeliminaotre. E parashikuam që ishte ndeshje e vështirë.
Sa i përket Cungut, të befasoi skema e Kukësit dhe mënyra e lojës?
E kam thënë edhe herë të tjera, Cungu është një mjeshtër i kupave eliminatore për ekipet shqiptare. Parashikimi ishte i duhur përpara ndeshjes.
Ndeshja në shtëpi, si e pret?
Ky kompeticion ka një specifikë tjetër, pasi luan 180 minuta dhe nuk ke kohë që të relaksohesh, që sot duhet të mendosh ndeshjen tjetër. Mbase, shkon edhe më shumë se 90 minuta. Duhet të bëjmë sa më pak gabime dhe në fushën tonë do të bëjmë më të mirën.
Pra, ende i hapur kualifikimi?
Eksperienca më ka treguar se në futboll është gjithçka e hapur, ndaj asnjëherë nuk duhet të flasësh me siguri. E kam provuar edhe vetë.