Në fund të këtij muaji mbyllet zyrtarisht sezoni 2017/18 dhe do të jetë koha për të bërë bilancin për Interin, që duhet të grumbullojë 45 milionë euro fitim nga transferimet, për të qëndruar brenda parametrave të Fair-Play financiar.
Koha është e kufizuar dhe drejtori sportiv Piero Auzilio është shumë i zënë këto ditë me transferime dhe firma, për të arkëtuar sa të mundet deri në fund të muajit.
Pjesa më e madhe e punës tashmë është kryer: transferimi i Santon dhe Zaniolo te Roma sjell pak më shumë se 11 milionë euro fitim për Interin, shifër goxha e madhe.
Më pas janë 2.5 milionë fitim nga Kondogbia, i cili është shitur te Valencia.
Interi ka bërë edhe disa marrëveshje anormale, që në fakt vijnë erë: qendërmbrojtësi 18-vjeçar Davide Betela është transferuar nga të rinjtë e Interit tek Atalanta për 7 milionë euro, ndërsa me Xhenoan është bërë një lojë tjetër, me shkëmbime të rinjsh dhe shifra kolosale të regjistruara në bilanc.
Ionut Radu e Federiko Valieti kalojnë nga Interi te Xhenoa për 14 milionë euro, ndërsa Interi ka marrë Eddy Salcedo e Laurens Serpe, për të njëjtat shifra, por që do të regjistrohen në bilancin e vitit të ardhshëm. Praktikisht, Interi merr tani miliona, të cilat do t’i kthejë pas më vonë, ndërsa realisht ka vetëm shkëmbim të rinjsh.
Tani Interi kërkon të mbyllë me urgjencë shitjen e Nagatomos te Gallatasaraj, Pushkash te Leganes dhe Manaj në Spanjë apo Portugali, ku të ofrojnë pak milionë për të. Natyrisht, një thesar i vogël është edhe talenti Pinamonti, i cili mund të shitet për të arkëtua shumë milionë, ndoshta duke imituar operacionin e kryer me Xhenoan.