Partizani ka afruar në skuadër sulmuesin Emanuel Mensah. Goditje interesante duke parë faktin se te Laçi ishte një futbollist lider. Ganezi është polivalent, pasi luan si sulmues i parë, i dytë dhe krahu. Afrimi i tij shton shumë konkurrencën te skuadra e “demave” dhe ndryshon ekuilibrat në skuadër.
Trajneri Skënder Gega ka luksin të bëhet me dhimbje koke për zgjedhjet e tij, pasi ka në dispozicion futbollistë kalibri. Afrimi i Mensah dhe Hebajt, bën që konkurrenca të rritet ndjeshëm në sulm duke parë që aty janë Asani, Progni, Trashi dhe Bardhi. Pa harruar Abdurahimin që nuk dihet nëse do të largohet përfundimisht, rikthimin e Lukasit pas dëmtimit dhe ndonjë “mrekulli” nga Edgar Çani.
Në kushte të tilla, ndryshon formacion i Partizanit. Hebaj dhe Mensah projektohen si titullarë, ndërsa nga krahu tjetër mbështetësit e tyre nuk dihen ende. Asani ka shumë mundësi nga krahu i djathtë, ndërsa Trashi mund të rreshtohet si mbrojtës i majtë. Progni dhe Bardhi do të duelojnë për një vend në formacion. Lukasi do ta ketë goxha të vështirë të depërtojë.