Në kampin shkodran ka pasur polemika të shumta që pas ndeshjes të vlefshme për Kupën e Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Partizanit. Një incident është përfolur të ketë ndodhur mes administratorit të klubit, Benjamin Naku, dhe sponsporit Alban Xhaferi. Ky i fundit u raportua se nuk u lejua të hynte në stadium për të ndjekur nga afër ndeshjen, por këto zëra janë hedhur poshtë.
Vetë administratori i kuqebluve ka thyer heshtjen dhe ka dhënë një deklaratë për mediat, ku sqaron gjithë situatën e ndodhur. Protokolli për Covid-19 ka bërë që skuadrat të dorëzojnë një listë me 10 emra që të lejohen për të hyrë në stadium, ndërsa më pas është policia ajo që kontrolloj futjen e këtyre personave në ambjentet e brendshme të stadiumit. Sipas Nakut, punonjësi i rendit ka ndalur fillimisht sponsorin e Vllaznisë për të zbatuar rregulloren, ndërsa më pas ka qenë vetë ai që i ka kërkuar punonjësit të policisë të kontrollonte listën, pasi në të gjendej edhe emri i Alban Xhaferit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Deklarata e plotë e Benjamin Nakut:
Që nga dita e ndeshjes Vllaznia-Elbasani, e zhvilluar në Shkodër më dt. 13.11.2020, ndaj personit tim, media të ndryshme kanë përcjellë një ngjarje tërësisht të deformuar nga e vërteta. Thelbi i asaj që kanë përcjellë mediat është sikur unë, në cilësinë e administratorit të “KF Vllaznia” sh.a., paskam tentuar të ndaloj hyrjen në Stadiumin “Loro Boriçi”, të sponsorit në partneritet me KF “Vllaznia”, z. Alban Xhaferi. Gjatë këtyre ditëve kam zgjedhur të hesht, koshient se zhurma nuk i shërben klimës dhe imazhit të KF “Vllaznia”.
Por, duke parë se ngjarja e pretenduar vazhdon të përdoret për të cënuar mbarëvajtjen e punës në KF “Vllaznia”, ndjehem i detyruar të sqaroj opinionin sportdashës të Shkodrës dhe më gjerë për ngjarjen e plotë dhe të vërtetë: Me dt. 13.11.2020 në Stadiumin “Loro Boriçi”, zhvillohej ndeshja e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, Vllaznia-Elbasani. Për shkak të pandemisë, protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të FSHF-së, nuk lejojnë që ndeshjet të zhvillohen me spektatorë.
Klubet organizatore të ndeshjeve janë të detyruara që të depozitojnë në Policinë e Shtetit emrat e jo më shumë se 10 personave për secilin ekip (drejtues, pjesë stafesh, apo lojtarë) që kanë të drejtë ta ndjekin ndeshjen nga tribuna dhe i gjithë procesi i hyrje-daljeve në stadium menaxhohet nga Policia e Shtetit.
Natyrisht që emri i sponsorit, Alban Xhaferi, ishte përfshirë në listën e personave të lejuar të ndiqnin ndeshjen (faximile si më poshtë, si dhe e botuar në gazetën “Panorama Sport”, dt. 14.11.2020). Gjatë procesit të hyrjes së personave të lejuar për të ndjekur ndeshjen, kam parë një nga punonjësit e Policisë së Shtetit të komunikonte me Z. Xhaferi.
Në këtë moment jam afruar dhe i kam kërkuar punonjësit të Policisë së Shtetit të shikonte listën, pasi në të gjendej emri i sponsorit. Më pas gjithçka është zgjidhur dhe s’ka pasur asnjë incident të pretenduar ndërmjet meje dhe z. Xhaferi. E gjitha kjo mund të vërtetohet lehtësisht edhe nga kamerat e sigurisë dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë së Shtetit të pranishëm në këtë situatë“