Ademir rregullon mbrojtjen, sytë nga infermieria

Braziliani është gati, ndërkohë që pritet të mësohet nëse do të aktivizohen këtë javë Qaqi e Rexhinaldo. Dje, analiza e përhershme

Vladimir Prenga

Laçi i është kthyer dje përgatitjeve në aneksin e vet stërvitor, ndërkohë që para se ekipi të zbriste në fushën e blertë është zhvilluar një analizë e sfidës me Luftëtarin. Bardhezinjtë u mposhtën nga gjirokastritët dhe normalisht kjo nuk është pritur mirë nga drejtuesit që kanë kërkuar reagim të menjëhershëm. Ndeshja e radhës e Laçit është ajo me Kukësin të dielën në stadiumin “Zeqir Ymeri”, një sfidë mjaft e vështirë. Normalisht motivimi do të jetë në nivelet maksimale, pasi luhet ndaj një ekipi që pretendon titullin kampion.

KONTIGJENTI – Në ndeshjen me Luftëtarin të dielën, trajneri Nica nuk e kishte grupin të plotë, pasi për arsye dëmtimesh mungonin sulmuesi Rexhinaldo dhe mbrojtësi Qaqi, të cilët nuk kanë qenë të gatshëm as në javën e parë të kampionatit. Gjithashtu edhe i riu Xhixha nuk ishte grumbulluar për shkak të një gjendjeje gripale, ndërsa për arsye pezullimi mungonte braziliani Ademir, që ndaj Partizanin u ndëshkua me karton të kuq. Mbrojtësi i djathtë rikthehet i gatshëm për stafin teknik në këtë ndeshje duke bërë që mbrojtja të plotësohet. Kështu Ejoh pritet të ulet në stol dhe Ademir të marrë pozicionin e tij. Me vëmendje do të shihen këto ditë Qaqi e Rexhinaldo, që të premten kanë nisur vrapimet dhe mbetet për t’u parë gjendja e tyre këto ditë për të mësuar nëse do të jenë në dispozicion të stafit teknik. Edhe dje ata janë përgatitur të diferencuar, por shpresohet shumë që të dielën të jenë në fushë.

Fotolajm
Humbja me Luftëtarin i ka mërzitur të gjithë në kampin kurbinas, ndërkohë Ekserda u jep zemër shokëve të skuadrës: “Sa herë që jeni të shqetësuar dhe doni të hiqni dorë, mbani mend: Zoti i jep betejat më të vështira ushtarëve të tij më të mirë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *