Ditët e fundit të merkatos ishin mjaft të frytshme për klubet shqiptare. Partizani dhe Tirana kanë mbushur arkat nga shitjet respektive, teksa është regjistruar edhe shifra më e lartë për blerjen e kartonit të një lojtari në kampionatin shqiptar. Plot 1.4 milionë euro janë paguar për transferimin e Skukës, e cila është një sasi jashtëzakonisht e lartë për “Abissnet Superiore”-n.
Por nëse klubeve u erdhën milionat, kampionatit i ikin golat. Skuka dhe Xhixha prijnë listën e golashënuesëve në “Abissnet Superiore”, ku të dy së bashku kanë arritur të shënojnë plot 21 herë. Gara për “këpucën e artë” të kampionatit shqiptar u ndërpre, por jo ajo mes vetë dy lojtarëve.
Tashmë “këpuca e artë” i kapërcen kufijtë e Shqipërisë. Rivaliteti mes dy sulmuesëve do të vazhdojë në Europë, ku do të shihet se cili do t’ja dalë të përshtatet më mirë në këtë përvojë të re në karrierë. Si për Skukën, edhe për Xhixhën, është hera e parë që provojnë veten jashtë Shqipërisë. Tani fillon karriera e vërtetë për të dy./Halit Delibashi-Sport Ekspres/