“Abissnet Superiore”/ Ka gjithë vëmendjen, analiza e derbit Tirana-Partizani në gjuhën e numrave

Mos u gënjeni nga renditja. Dy skuadrat e kryeqytetit që do të përballen në derbin e radhës janë dy nga formacionet që aktualisht po bëjnë më mirë se kushdo tjetër përsa i përket paraqitjes në fushë. Tirana nga njëra anë është ekipi që arrin të jetë më efektiv, ndërsa Partizani është ekipi që prodhon më shumë lojë. Jo çuditërisht Partizani është skuadra që në këtë kampionat ka gjuajtur më shumë drejt portës kundërshtare, plot 33 herë më shumë se Vllaznia, që është e dyta në këtë renditje të veçantë.

Tirana, nga ana tjetër, është e dyta në klasifikimin e goditjeve brenda kuadratit të portës: 38% e tentativave të ekipit që kryeson kampionatin janë brenda portës. Por kurioz është fakti se gjatë këtij sezoni Partizani ka realizuar 63 goditje me kokë në portë (rekord absolut për kampionatin), ndërsa Tirana vetëm 27 goditje, vetëm një më shumë se Egnatia dhe Laçi. Të dhënat e goditjeve me kokë pasqyrohen edhe në krosimet: Partizani është skuadra që ka realizuar më shumë krosime në kampionat, teksa Tirana është e fundit në këtë aspekt.

Po të kemi parasysh edhe fazën e mbrojtjes, ecuria e këtyre dy skuadrave është gjithmonë në nivele të larta: Partizani (në të njëjtin nivel me Vllazninë) është skuadra që ka pësuar më pak goditje në portë nga të gjithë, ndërsa Tirana është e treta në këtë renditje të veçantë. Si mbrohen kaq mirë këto dy ekipe? Duke kërkuar më shumë duelet fizike. Të dyja skuadrat, në fakt, janë të parat për duelet mbrojtëse të bëra (dhe të kërkuara), një tregues i qartë se janë skuadra që shkojnë në presing dhe që kanë intensitet të madh gjatë ndeshjes. Intensitet që konstatohet edhe në faullet e bëra:

Tirana është skuadra që ka bërë më shumë faulle në kampionat (pothuajse 16 për ndeshje), Partizani është i treti me pak më shumë se 14 faulle për ndeshje. Ndaj do të jetë një derbi jo vetëm i nxehtë për shkak të emocioneve që do të zbresin në fushë, por dhe mbi të gjitha sepse do të përballen skuadrat që kanë numrat më të mirë në kampionat për nga performanca (por jo në renditje).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *