Abazaj tregon golin e parë belg: Kishte ardhur momenti…

Kristal Abazaj sot është pjesë e Anderlehtit, por edhe mund ta kishte lënë fare futbollin. U ndodh shumë të rinjve që e provojnë fatin e tyre në klube të ndryshme dhe më pas dorëzohen. Por tropojani nuk u tregua i dobët dhe e kërkoi fatin në Gjirokastër, aty ku një qytet i tërë u dashurua me të. I kishin dhënë një mundësi dhe ua shpërblye me gola, por edhe me para: klubi fitoi nga shitja dhe ndihmoi shumë që për herë të parë të merrnin pjesë në kupat e Europës.

Sot po i shijon edhe ai frytet e asaj që ka dhënë. Është pjesë e një klubi të madh në Belgjikë dhe golin e tij të parë ia ka shënuar PSV Eindhovenit. Ishte në një miqësore, por është me rëndësi për një lojtar që jeton për momentin e shënimit.  “Mezi po e prisja golin e parë, kisha tre ndeshje që i shkoja shumë pranë, por shyqyr sot arrita të shënoja”, të thotë Abazaj, që nuk i ka fjalët e shumta dhe duhet të lodhesh pak për t’ia nxjerrë të gjitha.

Kur i thua që nuk i ke shënuar një ekipi dosido, por PSV-së, Kristali nuk e përmban gëzimin: “Ishte super. Arrita t’i marr topin një mbrojtësi dhe më pas shmanga edhe portierin. Pastaj normalisht shënova”. Futbolli i Kombëtares tregon më tej se ka marrë komplimente të shumta: “Nuk më ngacmuan, por vetëm më komplimentuan për ndeshjen e mirë që bëra. A do kem hapësira? Kam ardhur në një klub shumë të organizuar. Besoj se do të arrij të kem hapësira. Më kanë kërkuar në ekip dhe po më japin kohën e mjaftueshme për t’u përshtatur. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”. Miqësoret do të mbarojnë së shpejti dhe Kristali duhet të nisë të shkëlqejë edhe në kampionat e në kupat e Europës. Nëse e bën këtë, atëherë ku i dihet, mund t’i plotësohet ëndrra të luajë edhe për… Milanin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *