Sulmuesi i Luftëtarit, Kristal Abazaj, u bë sërish vendimtar, duke shënuar sot golin vendimtar në triumfin në Laç. Megjithatë, në intervistën pas ndeshjes për Supersportin talenti i Shpresave e pranon se ai dhe Bregu po vuajnë në këtë moment, për shkak se u mungon një pikë referimi në sulm: “Është e vërtetë që pjesa e parë ishte e dobët, skema nuk ishte e përshtatshme për ne, por po vuajmë shumë mungesën e një sulmuesi që të na ndihmojë aty përpara. Në pjesën e dytë ndryshuam, unë kalova në pozicionin e zakonshëm në krah dhe luajtëm shumë më mirë. Krijuam lojë e shumë raste për shënim, morëm tre pikë të çmuara. Bregu më pasoi te goli që shënova, ndërsa më vjen keq që pasimi im më vonë nuk vlejti golin. Nuk është çështja se i ktheva borxhin, nuk e pashë realisht që ishte pozicion jashtë loje, përndryshe do gjuaja vetë.
“Forma e mirë e këtij sezoni? Më ka ndihmuar shumë edhe përgatitja e mirë në verë, duke përfshirë periudhën me kombëtaren U-21, por nuk jam ende në maksimumin tim.
Sulmi? E vërtetë që na duhen zgjidhje të tjera, sepse kemi shumë lojtarë të dëmtuar dhe nuk mund të përballojmë gjithçka unë e Bregu, por kemi edhe Rrocën si alternativë, përveçse presim lojtarët që mungojnë”.