Asnjë shqiptar këtë javë në formacionin më të mirë në Kroaci, flasim për ata që publikon “Telesport.hr” dhe i referohet statistikave të lojtarëve grumbulluar nga “Instat Sports”. Një javë më parë mes “yjeve” ishte mbrojtësi Amir Rrahmani, autor edhe i një goli kundër Osijekut të Kristal Abazajt.
Këtë herë shifrat bëjnë të spikasë ky i fundit, pasi së bashku me Maikon Morerira janë futbollistët që kanë regjistruar më shumë driblime. Ish-futbollisti i Luftëtarit e ka një nga pikat më të forta këtë, madje edhe vetë trajneri Kristian Panuçi kur vendosi ta thërriste në kombëtarë deklaroi se në lojën një kundër një Abazaj është shumë i fortë.
Sulmuesi anësor në ndeshjen e fundit kundër Slaven Belupo luajti për 90 minuta dhe në 13 tentativa për të dribluar kundërshtarët, ia doli nëntë herë. Një javë më parë Ardian Ismajli ishte lojtari që numëronte më shumë pasime, kurse Lirim Kastrati spikati për krosimet e sakta për shokët e skuadrës.