Anderlehti ka mbetur pa trajner dhe drejtuesit e skuadrës belge po punojnë për të gjetur kreun e ri të stafit teknik. Me interes diçka të tillë e pret edhe sulmuesi Kristal Abazaj, të cilit ju desh muaji nëntor të debutonte në ekipin e parë të Anderlehtit.
Ish-trajneri nuk e kishte me sy të mirë dhe Abazaj kishte nisur të mendonte transferimin në janar. Nga emërimi i teknikut të ri varen shumë gjëra, por mediat në Belgjikë raportojnë se janë plot 11 lojtarë të cilët Anderlehti po mendon t’i transferojë.
Lista është si më poshtë: Ivan Obradovic, Antonio Milic, Ognjen Vranjes, Dennis Appiah, Emmanuel Sowah, Luka Adzic, Kristal Abazaj, Mohammed Dauda, Knowledge Musona, Ryota Morioka dhe Hannes Delcroix.
Sikurse shihet, edhe Abazaj është në listën e largimeve. Të gjithë lojtarët e mësipërm kapin vlerën e 15 milionë eurove. Për sulmuesin anësor të kombëtares, Anderlehti pagoi të Skënderbeu shumën e 750 mijë eurove. Sikurse kuptohet, e ardhmja e tij është ende e pacaktuar dhe Abazaj do të donte që në vazhdim të kishte më shumë hapësira, ndaj një huazim do e mirëpriste.