Sulmuesi ka firmosur për Skënderbeun, por nesër i duhet ta mundë. Për ndeshjen me korçarët klubi kërkon të jetë gati dhe tribuna përballë
Gëzim Beqiri
Te Luftëtari janë të përqendruar te ndeshja me Skënderbeun. Pas fazës përgatitore prej dy javësh në Turqi, stërvitja është zhvilluar normalisht ditët e fundit dhe me ardhjen e Liçajt, i fundit në merkaton e janarit, është bërë plotësimi i grupit për pjesën e mbetur të kampionatit. Njëri prej futbollistëve, që do të jetë pjesë e Skënderbeut në përfundim të këtij sezoni, pasi është zyrtarizuar largimi tij nga Luftëtari në maj, Kristal Abazaj, e vlerëson këtë takim si të veçantë për ekipin e tij, por edhe në aspektin personal: “Jam futbollist profesionist dhe është e kuptueshme që dua të jap më të mirën e mundshme kur dal në fushë. Nuk është vetëm rasti im dhe është e qartë se do të jap maksimumin edhe ndaj Skënderbeut. Jam pjesë e Luftëtarit dhe e respektoj flamurin e tij, që nënkupton vlerësim dhe respekt për tifozërinë, drejtuesit e klubit, presidencën, stafin teknik dhe mbi të gjitha ngjyrat e fanellës. Profesionalizmi im ka marrë rritje pikërisht me uniformën e Luftëtarit dhe do ta respektoj deri në fund. Largimi në kohën e duhur më jep mundësi që në vazhdim të luaj në Europë dhe të pretendoj aktivizimin me skuadra europiane”, – shprehet futbollisti i Luftëtarit, Krisatl Abazaj, i cili pak kohë më parë firmosi për korçarët, por klubet ranë dakord që deri në fund të kampionatit të luajë për gjirokastritët.
STADIUMI – Përgatitje të gjithanshme në stadiumin ”Gjirokastra”, si në fushën e lojës, edhe në ambientet e tjera. Punëtorë të shumtë janë marrë me pastrimin e territorit dhe shkallëve të stadiumit, pasi nesër parashikohet të ketë shumë tifozë për vetë rëndësinë e ndeshjes. Ndryshimet në ekip kanë bërë kureshtarë tifozët e Luftëtarit dhe ata nuk do të mungojnë ndaj Skënderbeut. Drejtuesit e klubit kanë kërkuar inspektim nga organet e rendit, në mënyrë që tribuna përballë të vihet në dispozicion të shikuesve. Deri tani ajo ka qenë e mbyllur, ngaqë forcat e rendit nuk merrnin përsipër sigurinë në këtë sektor. Sot kjo pjesë e stadiumit do të inspektohet dhe do të vendoset, nëse do të jetë në dispozicion të sportdashësve apo jo.