Pa gabimet e arbitrave (të shumtë deri tani kundër skuadrës së drejtuar nga Shpëtim Duro), Flamurtari sot do të ishte të paktën në kuotën e 22-23 pikëve, pra vetëm 3-4 pikë larg ekipit të Skënderbeut, që kryeson me 26 pikë renditjen e kampionatit. Në Vlorë, në një ndeshje mjaft emocionuese (duke anashkaluar polemikat dhe fokusuar te futbolli i luajtur), u pa një skuadër që ishte e bindur në potencialin e saj, pra Flamurtari i Shpëtim Duros. Trajneri ka përcjellë atë mentalitet fituesi dhe sidomos personalitetin që i mungonte kuqezinjve. Dhe të mendosh që kampionati nisi me kritikat e hapura dhe publike ndaj lojtarit më të fortë në skuadër, Danilo Alveshit.
Sinjal i qartë që, ose do të lundrojmë të gjithë në një krah, ose ai që është kundër grupit, do të mbetet jashtë, pavarësisht se paguhet dhe se sa gola ka shënuar. Individët në funksion të ekipit dhe jo e kundërta. E ndërsa Skënderbeu është skuadra për t’u mundur dhe Kukësi është duke çaluar, duke mos i ngjarë aspak ekipit të sezonit të shkuar, vlonjatët mund të jenë të vetmit antagonistë të korçarëve. Sigurisht, 9 pikë diferencë janë shumë, por jo edhe aq, nëse ky Flamurtar beson dhe, nëse, arbitrat do e lejojnë, natyrisht. Sepse, një garë e bukur dhe e panjollosur, është në të mirë të publikut. Edhe në Vlorë, aty ku futbollin e ndjejnë dhe aty ku nuk i zë gjumi në rast të një humbje. Ka ardhur koha që Flamurtari të shohë lart dhe mos mjaftohet, por sigurisht me këmbë në tokë. Skuadrën e ka, trajnerin gjithashtu, publiku ka qenë dhe vazhdon të jetë aty, duke mos munguar. Tashmë, nuk pritet gjë tjetër vetëm se sa të konfirmohet edhe në transfertë, aty ku duhet të japë më shumë se sa në shtëpi.