Ilir Daja ka treguar respekt dhe vlerësim për punën e Egbosë pas takimit të mbyllur atje ku Tirana fitoi në shifrat 1-2 ndaj Skënderbeut. I pyetur nga ana e gazetarëve për një afrim të mundshëm në stolin e bardhebluve, Daja nuk ka dashur të diskutojë këtë çështje, duke u shprehur se stafi aktual te Tirana është duke bërë një punë të mrekullueshme. Gjithashtu duke e thënë hapur se asnjëherë në karrierë nuk ka trokitur te klubet e tjera për të kërkuar punë, por gjithmonë ka pritur ofertat në tavolinë.
“Unë jam trajner i Skënderbeut, ndihem mirë këtu dhe presim një përgjigje pozitive nga Gjykata Federale. Do të shohim nëse do të kthejmë ciklin e historisë ose pastaj që të shohim se çfarë do të bëhet. Tirana ka stafin e vetë, unë nuk jam nga ato trajnerë që presë të hapen vende.
Nuk kam shkuar në asnjë klub që të trokas, por kanë qenë ekipet që kanë ofruar propozimet dhe ofertat e tyre. Nuk mund ta diskutojmë Tiranën pasi përtej emrit, nuk mundet që në një klub me këtë staf që ka një ecuri aq të mirë sa rrallëherë ndodh, nuk është e përshtatshme për kohën që flasim”, ka thënë Daja. /Sport Ekspres/