Dinamo dështon në Korçë, Skënderbeu triumfon 2-0 dhe merr tri pikë të arta!

Skënderbeu ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në javën e 11-të të Abissnet Superiore, duke mposhtur Dinamon me rezultatin 2-0 në Korçë. Një ndeshje e luftuar, me shumë episode, penallti, ndërhyrje të VAR-it dhe polemika, por në fund buzëqeshën korçarët.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa emocionet më të mëdha u rezervuan për fraksionin e dytë. Në minutën e 63-të, Dinamo pati mundësinë ideale për të kaluar në avantazh, por Bruno Dita shpërdoroi një penallti, duke u ndalur nga portieri Dobjani.

Vetëm pak minuta më vonë, VAR-i u bë protagonist. Pas një ndërhyrjeje ndaj Bismark në zonë, arbitri Kreshnik Cjapi rishikoi pamjet dhe akordoi 11-metërsh për Skënderbeun. Në minutën e 70-të, Naser u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke zhbllokuar rezultatin. Dinamo nuk arriti të reagojë, ndërsa në minutën e 85-të Bismark vulosi gjithçka me golin e dytë. Një triumf me shumë vlerë për skuadrën e Julian Ahmatajt, që largohet nga zona e ftohtë dhe konfirmon ambiciet për vazhdimësinë e kampionatit. /Sport Ekspres/