Lamtumirë kuqezi! Ivan Balliu tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare, zbulohet arsyeja e vendimit

Një tjetër futbollist i jep fund aventurës me Kombëtaren shqiptare. Ivan Balliu ka vendosur të mos e përfaqësojë më Shqipërinë, duke mbyllur kështu një kapitull nëntëvjeçar me fanellën kuqezi.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i Top Channel, Endi Tufa, i cili raporton se mbrojtësi 34-vjeçar ka komunikuar vendimin për t’u tërhequr nga përfaqësuesja. Sipas raportimeve, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë zgjedhje janë dëmtimet e fundit, mosha dhe dëshira për t’u përqendruar te karriera në nivel klubesh.

Balliu debutoi me Shqipërinë më 6 tetor 2017, në ndeshjen ndaj Spanjës, ndërsa gjatë kësaj periudhe u bë një alternativë e rëndësishme në krahun e djathtë të mbrojtjes. Ai ishte gjithashtu pjesë e skuadrës që siguroi kualifikimin historik në Europianin e vitit 2024. Bilanci i tij me kuqezinjtë është 24 ndeshje, 1780 minuta aktivizim dhe dy asistime.

Tërheqja e tij krijon një tjetër çështje për trajnerin Rolando Maran, i cili duhet të gjejë alternativat për krahun e djathtë të mbrojtjes. Elseid Hysaj mbetet një nga emrat kryesorë për këtë pozicion. /Sport Ekspres/