Teuta ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur 2-0 Vllazninë në stadiumin “Loro Boriçi”, në sfidën e javës së pestë të Abissnet Superiores. Durrsakët konfirmuan formën e mirë dhe regjistruan fitoren e katërt radhazi në kampionat.
Heroi i takimit ishte Umejiego, i cili realizoi të dy golat e Teutës. Sulmuesi zhbllokoi rezultatin në minutën e 45+2’, duke i dhënë skuadrës së Edlir Tetovës avantazhin përpara pushimit.
Vllaznia kërkoi të reagonte në pjesën e dytë, por vetëm pak minuta pas rifillimit të lojës, Umejiego goditi sërish. Në minutën e 51-të, ai shënoi golin e dytë personal, duke vulosur fitoren e Teutës.
Shkodranët nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës dhe regjistruan një tjetër rezultat negativ. Pas pesë javësh, Vllaznia mbetet me vetëm 2 pikë dhe ende pa fitore, ndërsa Teuta ngjitet në kuotën e 13 pikëve dhe ruan kreun e renditjes.
Për Teutën, kjo është një tjetër deklaratë e fortë në kampionat, ndërsa Vllaznia duhet të reagojë shpejt për të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhet. /Sport Ekspres/