Amir Rrahmani largohet nga Kosova, shpërthen ndaj FFK-së: “Sulme të koordinuara prej dy vitesh”

Një lajm i bujshëm ka tronditur Kombëtaren e Kosovës. Kapiteni Amir Rrahmani ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e përfaqësueses, për sa kohë Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) do të drejtohet nga drejtuesit aktualë.

Vendimi i mbrojtësit vjen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish. Rrahmani ka qenë pjesë e Kosovës për 10 vite, ndërsa shtatë prej tyre ka mbajtur shiritin e kapitenit. Megjithatë, ai pretendon se gjatë kësaj kohe problemet dhe ankesat e futbollistëve nuk janë trajtuar siç duhet.

Në mesazhin e tij drejtuar tifozëve, Rrahmani është i ashpër ndaj personave që aktualisht drejtojnë FFK-në. Ai akuzon drejtuesit për “sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara” ndaj tij dhe të tjerëve, duke theksuar se kjo situatë ka zgjatur për më shumë se dy vite.

“Drejtësia do ta vërtetojë një ditë”, shprehet kapiteni i Kosovës.

Rrahmani sqaron se vendimi nuk është marrë lehtë, por është një mënyrë për të ruajtur integritetin e tij si kapiten, futbollist profesionist dhe mbi të gjitha si njeri.

Largimi i tij është një goditje e madhe për Kosovën, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë emocional. /Sport Ekspres/