Shqipëria përgatitet për EURO U-21 2027, UEFA vizitë inspektuese në stadiumet pritëse

Shqipëria po vijon përgatitjet për një prej ngjarjeve më të rëndësishme të futbollit europian që do të zhvillohet në vendin tonë në vitin 2027. Shqipëria do të jetë bashkëorganizatore e Kampionatit Europian U-21, një turne që do të sjellë në vendin tonë talentet më të spikatura të futbollit europian dhe një numër të konsiderueshëm ndeshjesh ndërkombëtare.

Në kuadër të përgatitjeve për këtë event madhor, një delegacion i UEFA-s ndodhet këto ditë në Shqipëri për një vizitë inspektuese në stadiumet që do të presin ndeshjet e kampionatit.

Vizita synon të vlerësojë nga afër infrastrukturën dhe kushtet e stadiumeve pritëse, si edhe të vijojë koordinimin për përgatitjet që do të nevojiten në prag të turneut.

Delegacioni i UEFA-s kryesohet nga Guillaume Poisson, Shefi i Operacioneve të Turneve të UEFA-s, Njësia e Menaxhimit të Turneve dhe Eventeve.

Gjatë vizitës, delegacioni ka inspektuar stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër dhe “Elbasan Arena” në Elbasan, ndërsa në vijim po zhvillohen inspektimet në dy stadiumet e Tiranës që do të jenë pjesë e turneut.

Stadiumi “Air Albania” ishte ndalesa e radhës e delegacionit të UEFA-s, ndërsa të enjten do të inspektohet edhe “Arena e Demave”, stadiumi i klubit Partizani.

Vizita është pjesë e procesit të përgatitjes dhe koordinimit mes UEFA-s, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe strukturave të pushtetit lokal, me synimin për të garantuar që të gjitha aspektet e organizimit të EURO U-21 2027 të përmbushin standardet e kërkuara nga UEFA.

Kampionati Europian U-21 do të jetë një mundësi e rëndësishme për Shqipërinë për të vijuar eksperiencën e saj në organizimin e eventeve të mëdha ndërkombëtare të futbollit, duke sjellë një tjetër dimension të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit, promovimin e vendit dhe qyteteve pritëse.

Përgatitjet do të vijojnë gjatë muajve të ardhshëm, në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n, ndërsa stadiumet dhe qytetet pritëse do të jenë në qendër të këtij procesi deri në startin e turneut në vitin 2027.